Foto: KALLXO.com

VIDEO: Koncert pianistik, studentët e Muzikës performojnë shkathtësitë e tyre

Studentët e degës së Muzikës, klasa e profesoreshës Valbona Pula- Petrovci, të Fakultetit të Arteve të UP-së “Hasan Prishtina” kanë mbajtur një koncert pianistik me vepra të autorëve të njohur botërorë.

Koncerti është mbajtur më 14 janar në njërën prej sallave të Fakultetit të Arteve të UP-së.

Shtatë studentë të klasës së profesoreshës Pula -Petrovci kanë performuar në piano dijet e tyre të përfituar gjatë semestrit të parë të vitit akademik 2019/2020.

Profesoresha Pula- Petrovci ka thënë se ky koncerti mbahet për të prezantuar punën e bërë gjatë semestrit të parë.

Përveç kësaj, sipas saj, prezantimi në skenë sa më shpesh u mundëson studentëve të fitojnë përvojë në komunikimi me publikun.

“Ne si zakonisht praktikojmë që punën e semestrit të parë kurorëzojmë me një koncert të rastit. Jam shumë e kënaqur që jeni të pranishëm këtu për me përkrah punë e studentëve. Kemi këtu edhe student të vitit të parë që sot e thyejnë akullin për herë të parë”, ka thënë ajo.

Për më shumë se një orë studentë e klasës së profesoreshës Pula-Petrovci kanë interpretuar në piano pjesë nga vepra të ndryshme të kompozitorëve botërorë.

 

Koncerti është hapur me prezantimin e studentes së viti të partë, Poema Zhavelli. Ajo interpretoi në piano veprën e Frederic Chopin,  “Etude” op. 25 nr.2.

Studentja Dafina Kërleshi doli në skenë e dyta me interpretimin e veprës “Etude Tableaux”, nr. 33, nr. 4, të kompozitorit Sergey Rachmaninoff.

Më pas, Anila Aliu, studente e viti të dytë, interpretoi “Grand Sonata”, nr. 2op. 22, koha e I-rë, të kompozitorit Robert Schumann.

Arbëresha Shehu, studente e viti të IV, ka interpretuar veprën e Mozartit, “Koncert për piano dhe orkestër”, nr.23 (a-dur), koha I.

Më pas studenti i viti të IV, Bimi Milla ka interpretuar në piano “Prelude”, nr. 12, 32, të kompozitorit Sergey Rachmaninoff.

Elza Mehmeti, studente e viti të IV, interpretoi “Koncert për piano dhe orkestër”, nr. 20 (d-mol), koha e I-rë të Mozartit.

Ndërsa koncerti u përmbyll me studentin i viti të II, të nivelit master, Gent Kumnova me interpretimin në “Ballade”, nr. 2, op. 38 (f-dur) të Frederic Chopin.