Foto: Kallxo.com

VIDEO - Komuna e Prishtinës lë kolektorin e Kalabrisë të papërfunduar

 

Në lagjen Kalabria të kryeqytetit ka një kohë që kanë filluar punimet për ndërtimin e kolektorit për largimin e ujit atmosferik dhe kanalizimi fekal.

Punime po bëhen në rrugën ‘Ali Vitia’ mbi lumin ‘Mat’ që kalon nëpër këtë lagje.

Por zvarritja e punimeve ka shkaktuar probleme te banorët e lagjes, pasi ata po hasin në vështirësi në qarkullim, sidomos tash kur kanë filluar reshjet e shiut.

Sipas një tabele informuese të vendosur nga komuna e Prishtinës, punimet kanë filluar me 31 mars të vitit 2017 dhe afati i përfundimit është 180 ditë pune.

Por as pas më shumë se dy vjet e gjysmë qëkur kanë nisur, punimet ende nuk kanë përfunduar. Për më tepër, rruga është lënë e parregulluar dhe shumë problematike për qarkullim.

Rita Olluri është banore e lagjes. Ajo tregon që punimet tash e dy muaj janë ndërprerë dhe sipas saj, arsyet nuk dihen.

“Për sa banoj unë, kjo gjendje është kështu. Po kanë punu, po tash që dy muaj i kanë ndërprerë dhe nuk e di pse i kanë ndërprerë”, thotë Rita Olluri.

Sipas një banori të lagjes, që nuk ka pranuar të flasë para kamerës, në afërsi të rrugës ku janë kryer punimet është një tokë me kontest pronësor dhe, sipas tij, për këtë arsye komuna nuk ka arritur t’i vazhdojë punimet.

Banori tjetër i lagjes, Rifat Bublaku, që në këtë lagje banon që rreth 8 vite, shpreh shqetësimin për gjendjen e krijuar në këtë rrugë. Ai thotë se nuk dihet pse janë ndërprerë punimet dhe se kur do të rregullohet rruga.

“Kjo rrugë është hapur, datën e saktë nuk e di, por bukur moti, një vjet po e ka. E kanë lënë kështu, as të rregulluar e as të parregulluar. Është rrezik permanent që këtu me ra me kerre, mundet edhe me vdekë dikush. Pluhur ka, shi që ka rënë tash, se nuk u shihshim prej pluhurit kerret duke kaluar. E ky shi pak e ka flladitë. Nuk e di pse i kanë ndërprerë po kështu e kanë lënë, qe gati një vjet po bëhet”, thotë Bublaku.

KALLXO.com ka dërguar pyetje me shkrim në komunën e Prishtinës për të kuptuar arsyen se pse punimet nuk kanë përfunduar dhe pse rruga është lënë e pa rregulluar, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, komuna nuk ka kthyer përgjigje.