VIDEO - Kompanitë private të transportit publik në Fushë-Kosovë kundër transportit pa pagesë

Kompanitë private të transportit publik në komunën e Fushë Kosovës po e kundërshtojnë vendimin e komunës së Prishtinës, që transporti publik urban të jetë një muaj pa pagesë.

Gjatë ditës se djeshme, kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti njoftoi se që nga 1 dhjetori, për një muaj, autobusët e Trafikut Urban do të operojnë pa pagesë.

E kjo disa kompanive private të linjës Fushë Kosovë – Prishtinë, iu ka shkaktuar probleme, pasi nuk kanë llogari të operojnë pa pagesë.

Nazmi Krasniqi, pronar i njërës prej këtyre kompanive ka thënë se ndarja e linjës është 50 me 50 me Trafikun Urban dhe kjo ka shkaktuar problem për ta.

“9 autobusë operojnë tanët, 9 janë të Trafikut Urban, një autobus i tyre hyn përpara, ne mbrapa. Kështu që e kemi në rrotacion që sillemi edhe në këtë rast na ka shkaktu probleme duke marrë parasysh që Prishtina ata i subvencion, domethënë e kanë pa pagesë, ndërsa neve askush nuk na subvencionon. Në këtë rast ne jemi të dëmtuar, për shkak se biletat që ne i shesim, udhëtarët nuk hipin me neve, por udhëtojnë me autobusë të Trafikut Urban”, ka thënë Krasniqi.

 

Sipas tij, para se të merret ky vendim, nuk është konsultuar askush me ta, as komuna e Prishtinës e as ajo e Fushë Kosovës.

“Sot kemi kërkuar nga komuna jonë që të kemi parasysh këtë vendim që e ka marrë Prishtina, që të paktën të bëjë diçka edhe për firmën tonë, sepse jemi 23 punëtorë që marrim paga. Edhe në gjendjen që gjendemi me COVID-19, e rënduar që 6 muaj me vështirësi jemi duke operuar”, tha ai.

Kërkesë konkrete e këtyre kompanive është që të marrin subvencionim nga komuna e Fushë Kosovës.

“Zgjidhja më e mirë kishte me qenë që komuna me e pas mirëkuptimin, komuna jonë po flas, e Fushë Kosovës, që të paktën neve me na subvencionu”, ka thënë Krasniqi.

Në anën tjetër, komuna e Fushë Kosovës ka thënë se as ata nuk kanë qenë të njoftuar nga ata të Prishtinës për këtë vendim.

“Zyrtarisht nga ana e komunës së Prishtinës nuk kemi qenë të informuar, me ndonjë shkresë zyrtare do të thoja. Jemi të informuar prej vozitësve që mbajnë linjat Fushë Kosovë – Prishtinë dhe jo nga ndonjë institucion tjetër. Informacion tjetër do të thotë nuk kemi, përveç se nga vetë vozitësit e autobusëve”, tha ai.

“Se kur do ta gjejmë dhe kur do ta bëjmë unë tani nuk mund të jap në ndonjë kohë të caktuar apo ndonjë afat strikt. Por që do të merremi me këtë problem dhe do të shohim që eventualisht gjatë fillimit të vitit të ardhshëm të bëhet ndonjë kompensim eventual”, ka thënë Topalli.