Ilustrim, Foto: KALLXO.com

VIDEO – Kolonë e pafund veturash në Merdarë

Qytetarët, sidomos mërgimtarët, të cilët po largohen nga Kosova pas festave të fundvitit, vazhdojnë të përballen me pritje të gjata në kufirin me Serbinë, në Merdarë.

Ekipi i KALLXO.com ka qëndruar në pikën kufitare në Merdarë, ku ka marrë pamje që tregojnë kolonë të pafundme veturash të mërgimtarëve që po presin me orë të tëra për të kaluar kufirin dhe për të vazhduar drejt vendeve europiane ku jetojnë dhe punojnë.

Lidhur me pritjet e gjata në pikat kufitare, KALLXO.com ka kontaktuar Policinë e Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha, për pritjet dhe kolonat e gjata ka hedhur fajin tek autoritetet serbe.

 

Sipas tij, Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa shtesë për të përballuar fluksin e krijuar në pikat kufitare me Serbinë.

Po ashtu, ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë edhe pikat e tjera kufitare veç asaj në Merdarë.

Merdarë, mërgimtarët presin 9 orë për të dalë nga Kosova

Gjatë natës, qytetarët kanë pritur deri në 10 orë në kolonë.

Ndërsa, sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar pritjet aktualisht në pikën në Merdarë janë 4 orë deri në 4 orë e 20 minuta.

Në pikën kufitare të Mutivodës pritjet për të dalë nga Kosova janë 4 orë. Te Dheu i Bardhë pritjet për të dalë nga Kosova janë deri në 3 orë e 20 minuta. Kurse, në Muçibabë 2 orë.

Pritjet janë zgjatur edhe në pikën kufitare në Jarinjë. Atje pritjet janë 4 orë për të dalë nga Kosova.

Kurse, për të hyrë në Kosovë qytetarët në këto pika kufitare në maksimum presin 10 minuta.