KFOR në vendin e ngjarjes një ditë pas shpërthimit në kanalin e "Ibër Lepencit", 30.11.2024. Foto: Adelina Ahmeti

VIDEO - KFOR në vendin e ngjarjes ku ndodhi shpërthimi në Ibër-Lepenc

Ekipe të KFOR-it kanë dalë sot, më 30.11.2024, në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur shpërthimi i mbrëmshëm në kanalin e Ibër Lepencit në Zubin Potok.

Kështu raporton gazetarja e KALLXO.com, Adelina Ahmeti nga vendi i ngjarjes.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka njoftuar sot se pavarësisht dëmtimit që shpërthimi shkakoti në kanalin e Ibër Lepencit,kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.

Qeveria e Ksoovës ka thënë se ky sulm është i dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orën 1:30 të mëngjesit të sotëm (30.11.2024) ku ka folur për këtë shpërthim.

“Elemente të organizatave terroriste “Mbrojtja Civile” e “Brigada Veriore” dhe kryekrimineli Millan Radoiçiq nën dirigjimin e Presidentit dhe Qeverisë së Serbisë planifikojnë e ushtrohen në Serbi për sulme të këtilla profesioniste” – thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Në këtë mbledhje është ngritur edhe paralele e mundshme me një sulm të ngjashëm të Rusisë ndaj Ukrainës gjatë kësaj jave.

“U vu në pah edhe ndërlidhja e gjasshme me sulmet e Rusisë agresore në Ukrainë mbi kapacitetet energjetike gjatë kësaj jave duke lënë mbi një milion amvisëri ukrainase pa energji elektrike pikërisht në prag të dimrit” – tha Qeveria.

Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.

Këshilli i Sigurisë mban mbledhje emergjente – Çka ndodhi mbrëmë në Zubin Potok?

Kryeministri Albin Kurti ka falënderuar punëtoret dhe zyrtarët e Ndërmarrjeve Publike të Ibër Lepecnit dhe KEK-ut, KRU Prishtinës si dhe pjesëtarët e Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave dhe Policisë së Kosovës për reagimet e shpejta në sanimin e dëmeve të shkaktuara.

Punën e tyre, ai e cilësoi sit ë jashtëzakonshme dhe vetëmohuese.

Për shkak të këtyre zhvillimeve, Presidentja Vjosa Osmani ka anuluar vizitën shtetërore në Brunei të Azisë.

Të gjitha lajmet rreth situatës pas shpërthimit në kanalin e Ibër Lepencit, mund t’i lexoni në artikullin e mëposhtëm.

Lajm në Zhvillim: Shpërthim në Zubin Potok, dëmtohet kanali i ujit të Ibër-Lepencit