(VIDEO) Këndet e lojërave në Prishtinë, pa mirëmbajtje dhe të rrezikshme

Këndet e lojërave për fëmijë në Prishtinë janë në gjendje të mjerueshme. Të njëjtat paraqesin edhe rrezik për fëmijët.

Në shumë lagje të kryeqytetit, këndet e lojërave janë të dëmtuara dhe në të shumtën e rasteve janë krejtësisht të papërdorshme.

Një vend ku do duhej që fëmijët të kalojnë kohën e lirë dhe të jenë të sigurtë, nga pamjet në teren nuk paraqesin një ambient të sigurtë.

 

Ato nuk mirëmbahen nga askush dhe si pasojë më shumë paraqesin rrezik për fëmijët se sa vend argëtimi.

Drejtoresha e Drejtorisë për Parqe në komunën e Prishtinës, Fatime Hajdari, në një përgjigje për KALLXO.com, ka thënë se në të kaluarën ka pasur shumë probleme me operatorët privatë, të cilët ishin kontraktuar për mirëmbajtjen e lodrave.

Ajo thotë se është menduar një zgjidhje me Ndërmarrjen Publike Banesore, për këto lojëra.

“Në të kaluarën ka pasur shumë probleme në llogaridhënien dhe përgjegjësinë e operatorëve privatë të kontraktuar për qëllimin e mirëmbajtjes së lodrave. Si rrjedhojë, si zgjidhje është menduar përpilimi i një “kontrate në shtëpi” me NPB-në. Drejtoria e Parqeve ka bërë identifikimin e të gjitha këndeve publike të lodrave të dëmtuara (që duhet të largohen apo riparohen). Ky proces ka marrë kohë ndërsa tashmë po hyjmë në fazën kur NPB-ja do të fillojë me riparimin e tyre meqenëse ekziston buxheti i ndarë për këtë qëllim në vlerë prej 100,000.00 eurosh”, ka thënë Hajdari.

Kënd i lojërave, Prishtinë

Javë më parë në faqen në Facebook ‘Vrojtuesit e lagjes Prishtinë’, e cila merret me problemet e ndryshme të qytetarëve në kryeqytet, është raportuar se në parkun e Gërmisë, një fëmijë i moshës 3 vjeçare, është rrëzuar nga rreth 1 metër e gjysmë lartësi, si pasojë e lojërave të dëmtuara.