Skandal: Urim Pllanës policia i tha se vuan nga sëmundja e rëndë analizat thonë të kundërtën

 

Në emisionin e sotëm në “Drejtësia në Kosovë” u transmetuan rrëfimet e disa qytetarëve të Kosovës të cilët kanë paditur institucionet apo kompanitë e tyre ku kishin punuar më herët.

Këto padi vijnë nga parregullësitë që punëdhënësit i kishin bërë punëtorëve të tyre.

Njëri nga kandidatët për tu bërë polic dy vite më parë ishte edhe Urim Pllana.

Pllana nuk ishte kualifikuar  për tu bërë polic i Kosovës për shkak se në disa analiza të cilat i kishte kryer në Klinikën “Aloka” ai ishte diagnostifikuar me një sëmundje të gjakut.

“Me datë 6 dhjetor të vitit 2018 kemi shku me i bo testet edhe kontrollet mjekësore në klinikën Aloka. Më 6 dhjetor kemi filluar së pari me hy të laboratori, ku kemi bërë analizën e urinës dhe gjakut pastaj te internisti, ORL, të doktori i përgjithshëm të kardiologu e kështu me radhë. Çka ka qenë e veçanta e kësaj është se të gjitha repartet që i kemi vizutar për kontrolle mjekësore kemi shkuar për arsye se kemi dalë apo jo te suksesshëm. Te laboratori ajo ka marrë kohë një ditë ose dy për me dalë analiza, aty se kemi ditë saktë nëse e kemi kaluar apo jo”, tha Pllana.

Pllana tregon tutje se pasi që kishte marrë vesh se analizat e Klinikës “Aloka” nuk i kanë dalë në rregull ai kishte bërë edhe tre parë analiza të tjera të cilat kishin rezultuar të kundërtën.

“Pasi i kemi kryer kontrollet te Aloka, unë nga burimet e mia kam marrë vesh që analizat e mia nuk më përputhen ato analiza sepse te analizat e gjakut më ka dalë që janë të stërngritura gjë që me një fjalë më kanë bërë që kam një sëmundje të rëndë. Sipas doktorit sipas qatyne analizave i ka ra që e kam pasur sëmundje të leokimisë kështu që kur e mora vesh këtë fillova të frigohem shumë dhe harrova punën e policisë dhe me datë 14 dhjetor kam shkuar të bëj analiza privat në dy laboratore të ndryshme, kur shkova me i marrë rezultatet konstauan se unë gëzoj shëndet të plotë. Me datë 17 kam shkuar edhe në një klinikë tjetër ku kam bërë analiza gjithpërfshirëse, edhe aty në analizat konstatuan që gëzoj shëndet të plotë”, tregon Pllana tutje.

Tutje ai tregon edhe se pasi ishin shpallur rezultatet nga ana e Policisë së Kosovës, ai kishte kryer edhe një palë analiza në të njëjtën klinikë pra “Aloka” ku kishte marrë përgjigje se ai gëzon shëndet të plotë.

“Më datë 28 dhjetor 2018 shpall rezultet përfundimtare për kontrollet mjekësore. Unë paraprakisht e kam ditë se kam dështuar në këto analiza. Pasi dolën rezultatet në ueb sajtin e Policisë së Kovoës, shkova në spitalin privat Aloka dhe I bëra analizat privat ku paraprakisht kisha dështuar. Më 30 dhjetor në Klinikën Aloka e mora rezultatin dhe pas konsultimit me doktorin e klinikës ai më tha se unë gëzoj të plotë”, shton Pllana.

Tutje Pllana tregon se kishte kërkuar nga ana e Klinikës “Aloka” shpjegime në lidhje me këto analiza por të njëtit e kishin dërguar për të marrë përgjigje në Policinë e Kosovës.

Në lidhje me pretendimet e Pllanës, Drejtësia në Kosovë kërkoi sqarime edhe nga ana e Klinikës “Aloka”  por të njëjtit nuk kanë pranuar të flasin, madje arsyetimet e tyre ishin gjatë gjithë kohës së drejtori i klinikës ka qenë i zënë.

Në anën tjetër përgjigja e Policisë së Kosovës tregon edhe se pse nuk u kualifikua Pllana për polic.

“Sipas dokumentacionit zyrtar të cilin Policia e Kosovës e ka pranuar nga klinika “Aloka”, në rubrikën me numër 41/b thuhet “Nuk është i afte për punën e zyrtarit policor”. Që nënkupton se kandidati Urim Pllana, pas kontrollimit mjekësor të mbajtur më datën 06.12.2018, nuk ka arritur të përmbushë standardet e përcaktuara në Ligjin e policisë, kreu 5, neni 44, pika 2, nga i cili buron Udhëzimi administrativ nr. 04/2017 “Mbi marrëdhënien e punës në Policinë e Kosovës”, përkatësisht Procedura Standarde e Operimit PSO-5.07, Seksioni VI, pika E, ku parashihet që kandidati: duhet te ketë aftësi shëndetësore për te kryer funksionet kryesore ne vendin e punës në polici. Komisioni e ka kontrolluar dokumentacionin në detaje dhe ka vërejtur se dokumentacioni i ekzaminimeve mjekësore nga klinika “Aloka”, është në përputhshmëri të plotë me Procedurën Standarde të Operimit PSO-07DSHSH-01, anexi 18, “Standardet e përshtatshmërisë mjekësore për aplikuesit e PK-së”, pika II “klasifikimi mjekësor”, në shkaqet të cilat merren në konsiderim “i papranueshëm në aspektin mjekësor” është edhe diagnoza e cila i është caktuar kandidatit Urim Pllana nga specialistet e klinikës “Aloka””, thuhej në përgjigjen e PK-së.

Tutje Urim Pllana tregon edhe se kishte bërë ankesë në Policinë e Kosovës sipas afateve ligjore.

“Te Policia e Kosovës Brenda akteve ligjore me datë 4 janar 2019 e kam parashtruar ankesën më saktë dhe i kam paraqitur faktet se unë gëzoj shëndet të plotë. Analizat i kam paraqitur nga katër laboratora. Është quid se i njëjti komision, ai përgjegjës I Policisë së Kosovës, ditën e njëjtë kur e kam dorëzuar ankesën ata e kanë nënshkruar me 4 janar që jam i papërshtatshëm me vendimin e komisionit sipas mjekut specialist që unë nuk jam i përshtatshëm për polic të Kosovës”, tregon tutje Pllana.

Edhe në këtë rast Policia e Kosovës e arsyeton mos- kualifikimin dhe mos-pranimin e ankesës së Urim Pllanës.

“Duke pasur parasysh faktin se, Komisioni është organ administrativ dhe jo mjekësor, gjatë shqyrtimit të dokumentacionit dhe nxjerrjes së vendimit, Komisioni ka marrë për bazë mendimin profesional të mjekut specialist të autorizuar nga Drejtoria e Shërbimeve  Shëndetësore e Policisë së Kosovës, i  cili në prezencë të Komisionit e ka shqyrtuar edhe një here dokumentacionin e pranuar nga klinika “Aloka” dhe ka konfirmuar se diagnoza e dhënë nga mjekët specialistë të klinikes “Aloka”, e bëjnë kandidatin të papërshtatshëm në aspektin shëndetësor, për të vazhduar me fazat tjera të seleksionimit. Mbi këtë bazë, Komisioni ka nxjerrë vendim për ta refuzuar ankesën e kandidatit Urim Pllana. Arsyeja pse Komisioni, nuk ka mundur ti marrë për baze ekzaminimet të cilat kandidati i ka kryer në institucionet tjera shëndetësore, është sepse, në Procedurën Standarde te Operimit PSO-5.07, Seksioni VI, pika E, takstativisht kërkohet që:  Kontrollimi mjekësor duhet të bazohet në standardet e përcaktuar për kontrollim mjekësor (Udhëzuesi për kriteret bazë të testimit mjekësor, Aneksi 18). Organizimi i testit mjekësor administrohet nga Sektori i Regrutimit dhe Seleksionimit dhe Drejtoria e Shërbimeve Shëndetësore. Testimi mjekësor duhet të mbahet nga institucioni shëndetësor i licencuar dhe kontraktuar nga sipas procedurave ligjore nga Policia e Kosovës. Asnjëra nga ekzaminimet e bëra ne institucione tjera shëndetësore te cilat kandidati Urim Pllana, ia ka prezantuara Komisionit, nuk i kanë përmbushur kriteret e cekura me lartë nga PK-ë. Dhe në rast se Komisioni do të pranonte ndonjërin nga këto dokumente do të bënte shkelje të Procedurës Standarde te Operimit PSO-5.07”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Pllana tregon tutje se kishte bërë kërkesë nga ana e Policisë së Kosovës për të i sqaruar pse nuk është pranuar në polici dhe nuk kishte marrë asnjëherë përgjigje nga ta.

Urim Pllana e ka paditur Policinë e Kosovës në lidhje me rastin që i ka ndodhur. Ai shton se që 1 vit e 2 muaj nuk ka marrë përgjigje në lidhje me lëndën e tij.