Foto: KALLXO.com

VIDEO - Kandidati i Nismës: AAK-ja në Gjakovë për vota i ka bërë edhe gjyshet veterane

Kandidati nga Nisma Socialdemokrate, Fazli Hoxha për kryetar të Gjakovës në Debat Pernime ka thënë se qeverisja e AAK-së, ka përdorur “edhe gjyshet” për vota.

“20 vite në Cërnjan nuk është investuar, 20 vite kanë ardh si Aleancë kanë marrë vota blanco, 90% e votave i kanë marrë, i kanë mashtruar në forma të ndryshme, duke i përdorë edhe gjyshet, i kanë bërë veterane dhe i kanë marrë votat dhe tash mos thoni se keni shtruar rrugë”, theksoi ai.

Hoxha ka premtuar se nëse bëhet kryetar do të shtrojë rrugë “në çdo fshat, në çdo lagje dhe do ta kthejnë dinjitetin e Gjakovës, ashtu siç e meritojnë”.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Gjakovës diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Gjakovës: Arbënesha Kuqi nga PDK; Ardian Gjini nga AAK; Fazli Hoxha nga Nisma Socialdemokrate; Ferdinand Kolaj nga PShDK; Mimoza Kusari Lila nga LVV dhe Teki Shala nga LDK.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Gjakovës: Genta Domi Hoxha nga LDK; Lirianda Dahsyla nga PDK; Nita Efendia Brovina nga AAK; Saranda Alimusaj nga Nisma Socialdemokrate; Time Hasani nga LVV dhe Valerije Kola nga PShDK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.