VIDEO: Kanalizimi i ri e dëmton edhe të vjetrin në një fshat të Skenderajt

Çështjen e rrjetit të kanalizimit e kishin të zgjidhur, por problem u doli me rrjetin e ri që Komuna e nisi vitin e kaluar dhe mbeti në gjysmë.

Riza Çitaku nga fshati Çitak i Skenderajt thotë se në afërsi të lagjes Haziri, ujërat që kanë dalë mbi sipërfaqe po rrezikojnë tokat bujqësore të mbesin të papunueshme.

“Ne kemi pasur kanalizimin e ndërtuar prej vitit 2002. Vitin e kaluar ka ardhur Komuna edhe ka fillu me rregullu kanalizimin në mes të fshatit. I ka hapur nja 100 metra kanal, edhe e ka ndërpre punën. Sivjet kanë ardhë prapë edhe kanë fillu prej fshatit Pemishte, lagjes Loshaj e kanë ardhë deri këtu. Kur kanë ardhë këtu e kanë ndërpre punën… Është problemi se e ka dëmtu kanalizimin e vjetër, tash kur e kanë dëmtu kanalizimin e vjetër, nuk e ka lidh me të riun fare. Tash ujërat e zeza kanë dalë mbi sipërfaqen e tokës dhe tash është kohë vjeshte dhe toka është e thatë po e thith këta ujë. Edhe kur t’ia nimojnë reshjet në vjeshtë edhe dimër, kanë më u bë të papunueshme këto arat”, u shpreh ai.

Çitaku ankohet për neglizhencë nga ana e Komunës së udhëhequr nga Bekim Jashari për ndërprerje të punimeve dhe gjendjes jo të mirë që lanë pas.

 

“Nuk kena bisedu me Komunë, ata duhet m’e ditë edhe me përcjell punën e kompanisë. Ata s’janë ardhë as me përcjell as ku kanë mbetë as pse e kanë ndërpre, absolut kurrgjë”, u shpreh Çitaku.

Në anën tjetër, Komuna e Skenderajt në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se ky rrjet është projekt 3-vjeçar e që po vazhdon në bazë të ndarjes buxhetore.

“Projekti është ende në vazhdim  (projekt 3-vjeçar) dhe është duke u zhvilluar sipas mjeteve buxhetore për vite. Do të thotë projekti është duke u vazhduar pjesë-pjesë sipas buxhetit”, thuhet në përgjigjen e Komunës.