Foto: Kallxo.com
VIDEO - Istogu i shkatërruar pas erërave të fuqishme
Erërat janë gjë e zakonshme në Istog por ato që frynë para tri ditëve ishin më të fuqishme se zakonisht.
Shtëpi pa kulme, shtylla elektrike të rrëzuara, xhama të thyer e lastra në tokë kanë mbetur ende edhe dy ditë pas erërave të fuqishme që përfshinë Istogun dhe fshatrat përreth.
Një ndër fshatrat më të prekura nga stuhia është fshati Kaliqan.
Banori i këtij fshati, Bajram Metaj, ka rrëfyer për KALLXO.com momentin kur ka ndodhur stuhia e cila rezultoi me heqjen e kulmit të shtëpisë së tij.
“Parmbrëmë kjo ka ndodhë rreth orës 21:00 ka fillu që ja ka nis me prish shpinë, se era ka fillu në mëngjes. Po kah ora 10 veç se ka arrit bë efektin edhe kah ora dy ka arrit me rrëzu kit pjesën këndej të murit, fati që jemi tërheq në podrumin me plloq masive dhe kemi qenë të sigurt me familje”, ka thënë ai.
Si pasojë e dëmeve që la dhe erës që po vazhdon, Komuna e Istogut ka ndërprerë mësimin në të gjitha institucionet arsimore deri për të hënën.
Por, drejtori i shkollës fillore ‘Zymer Zeka’ në Kaliqan, Muhamet Ukaj, thotë se dëmet është shumë e vështirë që të sanohen dhe të fillojë mësimi.
“Kulmi është i hequr krejtësisht dhe përreth ka llastra janë gjujt këndej, mandej oborri i shkollës është dëmtu. Pishat që kanë ra këtu janë dëmtu, për momentin e kemi ndërpre mësimin. Nuk mundemi me vazhdu me këto kushte veç nëse mujm me bo zgjidhje alternative ose me shku në ndonjë shkollë tjetër, por si pas të gjithave gjasave nuk po mundem me parashiku se në një të ardhme të afërt mund të fillojmë”, tha Ukaj.
Ndërkaq, drejtori për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Istogut, Enver Rugova, tha se deri më tani janë lajmëruar 400 familje të dëmtuara.
Sipas tij, kanë evidentuar vetëm shkatërrimet në institucionet publike që vlera e dëmit arrin afër 400 mijë euro.
“Një vlerësim preliminar është vetëm për demet e institucioneve publike që vetëm i afrohet 400 mijë euro, mirëpo dëmi mund të jetë më i madh sepse ato kanë qenë më shumë vizuale nuk kanë qenë të specifikume në aspektin e numrave dhe të para masave, ne jemi sot gjithë ditën duke ekzaminua edhe këtë problem. Nuk i kemi lënë mbrapa as ekonomitë familjare që faktikisht kanë mbërri numrin 400 që janë lajmëru për zh’ dëmtim apo lajmërimin që kanë pësuar shtëpitë e banimit të dëmtuar që kanë pas shtëpitë përcjellëse apo bizneset”, tha Rugova.
Komuna e Istogut përveç dëmeve materiale, tashmë e dy ditë po përballet edhe me mungesën rrymës.
Erërat e fuqishme kanë shkaktuar dëme të mëdha edhe në qytete tjera të Kosovës.