VIDEO - Ish-punëtori tregon ‘luftën’ e tij me KEDS-in në Gjykatën e Apelit

 

Emisioni i sotëm i “Drejtësia në Kosovë” transmetoi rrëfimin e disa ish- punëtorëve të cilët janë në procese gjyqësore me kompanitë e ndërmarrjet ku kishin punuar më herët.

Ibrahim Berisha që katër vite ka paditur KEDS-in për shkak se siç pretendon ai e kanë larguar nga puna me një arsyetim banal.

“Kontestn e punës e kam prej vitit 2016. Po ky kontekst me rastin e privatizimit të Elektro Kosovës disktrikti I Kosovës, kompania e ashtuquajtur KEDS, mas tri viteve ka marrë një vendim e ka formuar një department që nuk ka qenë i nevojshëm fare. Përafërsisht një 120 punëtor i kanë caktuar në atë department edhe pas asaj kohe e ka pruar vendim që nuk ka nevoj ai department për këtë vendim edhe e ka pru bordin me na ndërpre mardhënien e punës”, thotë Berisha.

Ai tutje shton se vendimin e Gjykatës së Apelit po e pret që katër muaj për ankesën e dytë të KEDS-it ndërsa herën e parë ka pritur 2 vite, duke rrëfyer edhe se kishte kërkuar nga gjykata për një shqyrtim të shpejtë të lëndës.

“E kemi kërkuar nga Gjykata e Apelit me shqyrtu lëndën më shpejt por siç po duket ose ka lëndë jashtë normave ose nuk e di”, thotë Berisha.

Në lidhje me pretendimet e Berishës së largimi i tij ishte bërë pa bazë, Drejtësia në Kosovë ka kërkuar sqarime edhe nga ana e KEDS.

Ata nuk kanë dashur ta komentojnë rastin duke thënë se rasti ende është në procedurë.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari thotë se rastet e kontesteve të punës duhet të trajtohen ashtu siç është e ndërtuar sipas ligjit në mënyrë të shpejtë për shkak të mos dëmtimit të palëve të përfshira.

Tutje Jashari shton se kanë rekomanduar disa të gjetura edhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

“Në vazhdimësi këtë që ne e diskutuam është një raport që i është drejtuar Këshillit Gjyqësor, në të cilin këmi kërkuar që të këmi një ligj të vecantë që parasheh kompensimin e qytetarëve që u shkelet e drejta në një afat kohor. Për rastet që janë në procedim e tutje, përshembull mardhënie pune këto raste kanë përparësi nuk mund të presin radhën në gjykatë sepse kanë përparësi. Secili rast në vetëvete dallon. Numri i gjyqatrëve duhet të sillet në harmoni me normat dhe duhet shtuar numri i tyre, duhet të jetë ngritja e bashkëunëtorëve profesioanl që janë ndihmesë dhe rishikimi I sitemit ligjor”, thotë Avokati i Popullit.

Se ka zvarritje thotë edhe avokati Naim Haliti.

“Një kohë kam punuar si gjykatës dhe si avokat kryesisht merrem me kontestet nga lamia e punës. Nga rëndësia e këtyre rasteve pasi që e drejta për punë paraqet të drejtën themelore të punëtorit është e nevojshme që kësaj lamie t’I japim një rëndësi të caktuar”, tha ai.

“Nuk kanë trajtim të mjaftueshëm në gjykata dhe për vendosjen e tyre pritet një kohë e gjatë”, shton ai.

Valon Leci, Kryeinspektor i Punës, tregon se numri i ankesave nga punëtorët është rritur.

“Aktualisht Inspektorati i Punës ka trajtuar 1500 inspektime që janë bërë nga ankesat e palëve në 2019 dhe kemi dhjetëra e mijëra vendime të tjera që janë nxjerrë e që nuk ka pasur nevojë për insektim. Pra kemi 1500 inspektime dhe mijëra vendime që janë nxjerrë nga ankesat e parashtresat e palëve. Është numër kogja I madh por është edhe një numër shpresdhënës që palët janë vetëdijësuar për t’I mbrojtur të drejtave të tyre”, thotë ai.

Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala tregon edhe se sa zgjat një lëndë për mardhënien e punës.

“Faktikisht deri më tani ka pasur ngecje të mëdha për shkak të mungesës së gjyqtarëve. Për këtë lami këto edhe pse kanë prioritet nuk kemi pasur mundësi me i kry në afat të arsyehsëm dhe për këtë arsye palët kanë pritur më gjatë se sa ka qenë e domosdoshme”, thotë ai.

Ai shton edhe se ka numër të vogël të gjyqatrëve që krijon problem në përfundimin e lëndëve të kontesteve të punës.

“Tani për tani sepse kemi pasur një numër shumë të vogël të numrit të gjyqtarëve. Kemi filluar me 11 gjyqtar. 12 lëndë kemi pasur lëndë të mbetura nga dy gjykata kur kemi filluar e me 11 gjyqtar ka qenë e pamundur me i kry lëndët e mbetura. Në vitin 2019 kemi mbërri me i kry lëndët që kanë qenë të vitit 2013, edhe një muaj i kryej edhe lëndët e vitit 2015. Nëse rritet numri i gjyqtarëve atëherë do të kryen edhe lëndët e vitit 2018”, shton ai.