VIDEO - Intervista e Ibrahim Rugovës që i nxori probleme gazetarit të Zërit të Amerikës, Elez Biberaj

Në kohën sa ishte drejtor i Shërbimit shqip të Zërit të Amerikës, Elez Biberaj ka pasur dy intervista të ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova që i kishte pranuar përmes korrespodentit amerikan, Joloyon Neagle.

Intervista e parë e ish-presidentit Rugova për Zërin e Amerikës, Biberaj thotë se u realizua në prill të vitit 1989.

Në këtë kohë, Biberaj ka shpjeguar në emisionin “Kallxo Përnime” se zhvillimet në Kosovë mbuloheshin për Zërin e Amerikës vetëm përmes korrespodentëve amerikanë që i dërgonin.

Ndërsa, intervista e dytë e Rugovës ishte realizuar më 09.06.1989, me rastin e 600-vjetorit të Betejës së Kosovës, për fjalimin e Sllobodan Millosheviqit në Kosovë që e kishte mbajtur për ta shënuar këtë përvjetor.

Beteja e Kosovës ka ndodhur në vitin 1389.

Intervista e Rugovës ndaj fjalimit të Millosheviqit për përvjetorin e Betejës së Kosovës, Biberaj thotë se i nxori probleme. Ai thotë se i kishin dërguar dy korrespodentë në Kosovë për këtë ngjarje, David Lent dhe Joloyon Neagle.

Përveç Rugovës, Biberaj thotë se nuk pranoi asnjë prej intelektualëve tjerë shqiptarë që i ftuan të flisnin për fjalimin e Millosheviqit në Kosovë, me rastin e përvjetorit të Betejës së Kosovës.

Rugova në atë kohë kishte folur për Zërin e Amerikës si kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

“I kërkova Juliane Neaglan, them – kam nevojë për reagimin e palës shqiptare për këtë fjalim. David Landt e mbulon fjalimin e Millosheviqit, nuk kishte problem… Edhe më thotë, kë të marrë? Edhe i dhashë unë disa emra, disa intelektualë që nuk preferoj t’i përmendi nuk kanë pranuar, Rugova ka pranuar edhe i ka dhënë intervistë” – tha Biberaj në emisionin “Kallxo Përnime”, më 14.09.2024.

Jeta Xharra tha se e ka pyetur gazetarin amerikan, Joloyon Neagle, se pse nuk kishin pranuar intelektualët shqiptarë të reagojnë ndaj fjalimit të Millosheviqit, ai është përgjigjur duke thënë se intelektualët tuaj më thanë – çoi email Partisë Socialiste të na jap leje për të foluar për Zërin e Amerikës.

Biberaj thotë se e kishte pranuar intervistën e gazetarit amerikan me Rugovën pas një mbledhjeje mëngjesi ku ishte dashur të raportohej kjo intervistë, por ai nuk e kishte ndërmend që ta njoftonte se kishte frikë që nuk do të transmetohej.

Biberaj thotë se drejtori i Zërit të Amerikës e kishte kuptuar që e kishte pranuar Biberaj intervistën e Rugovës, për të cilën shprehet se nuk e di nga kush e kishte kuptuar edhe sot e kësaj dite.

“Më thërret në zyre menjëherë, thotë – nuk transmetohet kjo. Thash – kjo është shkelje e standardeve dhe me të vërtetë ishte shkelje e standardeve tona. Standardet e Zërit të Amerikës – nuk duhet të ketë ndërhyrje politike. Ajo intervista nuk ishte thirrje për dhunë p.sh, ishte një reagim mjaft i thjeshtë. Ai nuk kishte guximin që ta merrte vendimin vet, por kërkonte që unë ta merrja vendimin… Më në fund, më dha urdhër, m’tha – nuk transmetohet” – ka treguar Biberaj.

Pas kësaj, Biberaj i kishte thënë që do të shkonte te drejtori i përgjithshëm dhe se do të hynte në histori si personi që “e vrau” intervistën e Ibrahim Rugovës.

“Intervistën (e Ibrahim Rugovës) e kemi transmetuar një ditë më vonë” – tha Biberaj.

Ish-presidenti Rugova e kishte quajtur ‘provokacion’ manifestimin e Millosheviqit në Kosovë, me rastin e 600-vjetorit të Betejës së Kosovës.

“Ky jubile apo manifestim, ashtu siç është organizuar më duke një provokacion. Më duket se është pak e pamatur politikisht të bëhet një organizim i tillë dhe ky bëhet për pakte politike, për një profil të politikës serbe, aktuale. Përndryshe Betejën e Kosovës e çmoi si fakt historik, edhe pse është më shumë fakt oral e gojor. E aty ishte dasht të theksohet se në atë betejë kanë marrë pjesë edhe shqiptarët, edhe hungarezët, edhe boshnjakët, pra ka qenë një koalicion anti-turk e kurrësesi të merret vetëm si një betejë serbe në kuptimin e tashëm politik” – kishte thënë Rugova, më 09.06.1989.

“Vet mënyra e organizimit edhe propaganda që ka qenë në shtypin serb edhe në shtypin e përgjithshëm kështu një pjesë e shtypit në Jugosllavi, tregohet se Kosova ka qenë tokë serbe gjithmonë e të tjera… Prandaj, nëse është organizuar për këto qëllime atëhere shqiptarët e ndiejnë pak edhe si problem të identitetit nacional, sepse që 7-8 vjet shqiptarëve u thuhet se janë të ardhur në shekullin 19 se na marrin sikur disa emigrantë, e s’është e vërtetë se ne jemi autoktonë këtu prej kohës antike, bashkë me grekët e latinët” – kishte shtuar Rugova.

Biberaj u pyt se a kishin arritur ta intervistojnë Rugovën për takimin që kishte pasur me Millosheviqin gjatë kohës së bombardimeve në Kosovë.

Këtë herë, Biberaj tha se Rugova nuk kishte pranuar ta intervistonte.

“Rugova ka qenë i burgosur edhe nuk ka qenë i lirë që të vendosi vet. Nuk kam asnjë problem me atë takim ose me ndonjë deklaratë që mund të ketë dhënë Rugova, kombi mbeti pa udhëheqje politike, nuk kishte asnjë udhëzim politik nga askush. Gjatë asaj periudhe i vetmi kontakt që kemi pas, ka qenë me UÇK-në, unë kam pas telefonin e shtabit të përgjithshëm, isha në kontakt me Jakup Krasniqin… Rugova del në Itali edhe gjitha përpjekjet për t’u lidhur me të, më dështuan. U lidha me kryeministrin, Bujar Bukoshi edhe them – mesazhi i Ibrahim Rugovës:

Mikrofononin e Zërit të Amerikës e ke në dispozicion, foli popullit tënd, edhe absolutisht nuk ka pranuar” – tha Biberaj.

Por gjatë muajit prill, të vitit 1999, Biberaj tha se u kontaktua nga Adnan Merovci, njeriu më i afërt i Ibrahim Rugovës.

“Adnan Merovci, më ka marrë në telefon edhe më thotë më ka ngarkuar presidenti Rugova, edhe jam i gatshëm që të jap intervistë… I them – jo, shumë falemnderit, po duhet të flasë me Rugovën. ‘Është e pamundshme’ – më tha” – ka treguar Biberaj.

Ibrahim Rugova kishte qenë bashkëthemelues i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetar i saj që nga themelimi deri në vdekjen e tij, më 21.01.2006.

Elez Biberaj ka punuar në Zërin e Amerikës për më shumë se katër dekada. Ai filloi si gazetar në muajin dhjetor, 1980 dhe pas gjashtë vitesh udhëhoqi Shërbimin shqip të Zërit të Amerikës deri më 2004.

Pas punës në Shërbimin shqip në Zërin e Amerikës, Biberaj ka qenë drejtor i gjithë Zërit të Amerikës për gjashtë muaj, pastaj ka qenë drejtor i “Zërit të Amerikës” në divizionin e Euro-Azisë që nga viti 2005 deri 2020, duke e bërë atë përgjegjës për programin e “Zërit të Amerikës” për audiencën në Rusi, Ukrainë, Armeni, Gjeorgji dhe Ballkan.