VIDEO - I dyshuari për COVID-19 trajtohet në tendën e ngritur para QKMF në Viti

KALLXO.com ka siguruar një video ku shihet një person i dyshuar të jetë i infektuar me coronavirus duke marrë trajtim në një tendë në oborrin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Viti.

Vjollca Kadolli, drejtoreshë në QKMF në Viti, duke folur për KALLXO.com, ka treguar gjendjen e institucionit të cilin ajo e drejton.

Kadolli ka thënë se në përgjithësi, QKMF në Viti qëndron mirë me furnizime dhe me staf mjekësor por pas rritjes së numrit të infektuarve i kanë ngritur tendat para QKMF-së në Viti dhe Pozhoran.

“Kohëve të fundit jemi të furnizuar me materiale të bollshme, si me shtretër dhe me pajisje tjera të nevojshme për luftimin e coronavirusit. Tendën e kemi ngritur prapë edhe në Viti po ashtu edhe në QKMF në Pozhoran”, tha Kadolli për KALLXO.com.

“Deri tani kur po flasim i kemi të infektuar dy mjek dhe infermierë, gjithashtu në vetizolim janë edhe dy mjekë tjerë. Personin që e keni parë duke u trajtuar në tendën para QKMF-së është i dyshuar me virus, andaj aty e merr terapinë të cilën ia kanë shënuar ekspertët mjekësorë”, tha drejtoresha Kadolli.