
VIDEO: Hulumtimi i Drejtësia në Kosovë për ‘biznesin e bombave’, prangosen katër persona
Në emisionin e sotëm në “Drejtësia në Kosovë” u transmetua arrestimi i katër personave të dyshuar në lidhje me hulumtimin “biznesi i bombave”.
Dy vite më parë Drejtësia në Kosovë kishte transmetuar një deklaratë të Artan Avdullahut në lidhje me disa persona të cilët dyshohen se kanë gisht në vendosjen e bombave në Prishtinë në vitin 2010.
Tri ditë më parë, Prokuroria Themelore në Gjilan kishte arrestuar katër persona të dyshuar për këto ngjarje.
Kërkesa e përpiluar nga ana e Prokurorisë Themelore në Gjilan ishte që të dyshuarit të dërgohen në paraburgim por Gjykata kishte vendosur masën e arrestit shtëpiak.
“Artan Avdulllahu dyshohet se më datën 25 maj 2010 rreth orës 02;00 pas mesnatës afër PTK-së në lagjen “Dardania” në Prishtinë me qëllim të frikësimit dhe kërcënimit e i shtyrë nga të pandehurit Bekim Krasniqi dhe Shkelzen Zariqi e i ndihmuar nga i pandehuri Vedat Rexhepi, lidhur me një kontekste pronësor ka vendosur dy granata dore dhe një bombolë gazi në derën e zyrave të kompanisë “ITC” të të dëmtuarit Hajrullah Kryeziu”, thuhet në kërkesën e prokurorisë.
Avokatët e katër të dyshuarve e kanë kundërshtuar paraburgimi në seancë e djeshme për klientët e tyre.
“I mbrojturi im deklaroj shkurtimisht nuk është deklaruar sot lidhur me fajësinë se a e pranon apo e mohon inicimin e procedurës nga prokuroria meqenëse është seancë dëgjimore unë e kundërshtova ne mënyrën më profesionale se nuk duhet të caktohet paraburgimi për disa arsye”, tha Afrim Salihu avokati i Artan Avdullahut.
Emrush Kastrati që mbron Bekim Krasniqin, në përfundimin e seancës ka kundërshtuar kërkesën për caktimin e paraburgimit duke thënë se edhe klienti i tij në atë kohë ka qenë viktimë, dhe se një proces gjyqësor civil është duke vazhduar ende në gjykatë.
“Kërkesa e prokurorit të shteti për caktimin e paraburgimit duhet të refuzohet marr për bazë mbi të gjitha se i dyshuari kryesor i cili e ka pranuar në media se i ka hedhur ato bombola e ka thanë sot në seancë se nuk e njeh të mbrojturin tim Bekim Krasniqi as kurrë nuk ka kontaktuar me të as që e ka shtyrë Bekim Krasniqi ne hedhjen e atyre bombave, ne atë rast në atë kohë ka qenë i dëmtuar edhe vete Bekim Krasniqi”, ka thënë Kastrati.
Florent Latifaj që e mbron Shkelzen Zariqin tha se klienti i tij nuk e ka pranuar fajësinë në seancën e djeshme në gjykatën e Prishtinës.
“Gjykata e ka vendosur masën e arrestit shtëpiak kërkesa e prokurorisë ka qenë me u caktua masa e paraburgimit, nuk e ka pranuar fajësinë as ky e asnjëri se kanë ndikuar tek i dyshuari i parë me krye veprën penale”, tha Latifaj.
Avokati Shemsedin Pirajt tha se fajësinë në seancë nuk e ka pranuar as i mbrojturi i tij Vedat Rexhepi duke i mohuar dyshimet e prokurorisë.
“Është refuzuar kërkesa për caktimin e paraburgimit dhe është caktuar arresti shtëpiak. Fajësinë nuk e ka pranuar asnjëri”, tha Piraj.