Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

VIDEO - Haradinaj kritikon qeverinë se po i pengojnë sa herë që po flet

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kritikuar kabinetin qeveritarë që po e pengojnë atë derisa po flet në foltore të Kuvendit.

Haradinaj është ankuar se kabineti qeveritar që ulet në Kuvend, mbi vendin ku është e vendosur foltorja kryesore po i ndërhyjnë dhe po e pengojnë derisa ai mban fjalim.

Madje Haradinaj ka deklaruar se është një fjalor jonjerëzor që përdoret ndaj tij.

“Sa herë flas nga foltorja e Kuvendit, me pengojnë me fjalor jonjerëzor, publiku nuk i dëgjon, po ai që flet i dëgjon, ka edhe tjerë që nuk po i përmendi emrat sot. Nëse kjo praktikë vazhdon, më duhet me ua kthy edhe unë, veç po ju paralajmërojë që nuk ka rrugë tjetër sepse nuk të len më fol” –  tha Haradinaj.

Haradinaj këto deklarata i bëri pasi gjatë kohës sa ishte duke folur në foltore të Kuvendit, është ndërprerë nga ministri i Financave, Hekuran Murati.

Lidhur më këtë u përgjigj edhe kryeministri Albin Kurti.

Kurti e ka “arsyetuar”, ndërhyrjen e ministrit Hekuran Murati gjatë fjalimit të deputetit Ramush Haradinaj, duke thënë se Murati ka dashur të jap një sqarim shtesë.

Kurti tha se Murati nuk e ka fyer Haradinajn, ai ka dashur të sqarojë çështjen e rritjes se pagave në vitin 201 për të cilën po flitej në Kuvend.

“Unë isha këtu është e vërtetë që ministri Murati i ndërhynte në fjalë teksa fliste deputeti Haradinaj por ai nuk e ka fyer, në momentin që Haradinaj tha që prej vitit 2018 nuk janë rrit agat, Ministri Murati tha sa janë rrit pagat në 2018-tën. Pagat janë rrit 4% apo 14 euro. Dëshironte një sqarim shtesë” – ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë e kupton që nuk duhet t’i ndërhynë njëri-tjetrit por, sipas Kurtit ndërhyrja është dukuri në Kuvend.