VIDEO: Hapet pishina e Gërmisë

Mes gëzimit për të gjetur një pikë freskie në këto ditë me vapë dhe frikës nga pandemia, qytetarët sot e kanë gjetur të hapur pishinën e Gërmisë.

Pajtim Hasku nga Rahoveci ka dalë që në ditën e parë për t’u freskuar në këtë pishinë në periferi të Prishtinës.

Ai shprehet i lumtur për hapjen e pishinës pas disa muajsh qëndrimi në izolim shkaku i pandemisë.

“Vendimin e Qeverisë e kemi pritë shumë mirë. Pas tre muaj karantinë që kemi qenë të mbyllur më në fund u hap pishina dhe jemi shumë të gëzuar që po mundemi me dalë me i argëtu edhe fëmijët edhe veten” , tha ai.

Por ndryshe nga vitet e kaluara kur zhurma e tollovia e bënin atmosferën në këtë pishinë, këtë vit ajo pritet të jetë shumë më e heshtur.

Numri i pushuesve aty do të jetë i kufizuar, si masë parandaluese e përhapjes së pandemisë.

Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes Publiko – Lokale, Liridon Llapashtica, u shpreh se përgatitjet për hapjen e pishinës kanë filluar javë më parë.

“Përgatitjet kanë filluar shumë më herët kemi shtuar intensitetin për me qenë gati me 1 korrik(dje), por më 30 qershor një natë përpara ku ministri i Shëndetësisë (Armend) Zemaj ka kërkuar një mirëkuptim sa i përket hapjes totale të të gjitha operatorëve bizneseve të cilat kanë qenë ende me kufizime dhe ne e kemi mirëkuptuar”, u shpreh ai.

Llapashtica, tha se të gjitha rekomandimet e IKShPK-së do të respektohen, menaxhmenti do t’i qëndrojë afër secilit qytetar.

“Të gjitha ato masa të cilat i ka kërkuar kryeministri Hoti, Ministri Zemaj, Instituti i Shëndetit Publikë, Organizata botërore e Shëndetësisë, do të thotë bartja e maskës, dezinfektimi, distanca e të gjitha këto janë duke u respektuar prej stafit me menaxhmentit që menaxhon me pishinën, do të kërkohet dhe normalisht do t’i qëndrojmë afër secilit qytetarë që futet në pishin të respektojë distancën “, tha kryeshefi.

Aktivitetet e pishinës do të bëhen në bazë të rekomandimeve tëinstitucionet relevante të cilat po menaxhojnë situatën me coronavirus.

“Deri tash në bazë të rekomandimeve nuk ka ndonjë aktivitet që është ndalu tërësisht por janë rekomandimet të cilat duhet zbatuar dhe duhet marrë për bazë të rekomandimeve zhvillohen edhe aktivitetet”, tha Llapashtica.

Ai thotë se uji i pishinës së Gërmisë është më i pastër nga të gjitha pishinat tjera.

Kjo pishinë ka shtatë shpëtimtarë në rast se ka nevoje për ndërhyrje dhe shpëtim të qytetarëve.

Në mesin e shpëtimtareve është edhe Dardan Kushaj.

“Jemi diku shtatë shpëtimtarë, vikendeve kemi me u shtu edhe dy apo tre persona ekstra shkaku se ka më shumë njerëz. Jemi të certifikuar në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sporteve. Besoj se jemi persona mjaft adekuatë për të kryer këtë punë”, u shpreh ai.

Tutje Kushaj thotë se të gjitha masat i kanë marrë dhe se pishina ka hapësirë të mjaftueshme për njerëz.

“Masat preventive i kemi marrë, ka hapësirë të mjaftueshme për shumë njerëz, ka hapësirë për me u mbajtë distanca për dy metra”, tregon ai.

Pishina e Gërmisë ka një hapësirë rreth pesë hektarë hapësirë dhe përveç pishinës aty ka edhe amfiteatër dhe fusha për sporte tjera.