Viktima e dhunës në familje, Foto: KALLXO.com

VIDEO - Gruaja e dëbuar nga shtëpia e burrit: Mendova të bëj edhe vetëvrasje

Në emisionin e sotëm në “Drejtësia në Kosovë” u trasnemtuan rrëfime të grave të cilat lëndët e tyre për prona po presin radhë në gjykata për t’u zgjidhur.

Dy gra me probleme të ndryshme rrëfyen për ekipin e DNK-së, problemet pronësore e që në disa raste u kthyen edhe në dhunë e plagosje.

Një grua 54 vjeçare e dëbuar nga shtëpia e burrit të saj ku kishte jetuar 17 vite, tash e katër muaj po pret që padia e saj ndaj bashkëshortit të shqyrtohet dhe ajo të marrë pjesën e trashëgimisë që i takon.

Tash e gjashtë muaj gruaja po jeton në njërën nga strehimoret e Kosovës ndërsa shpjegon se nuk ka asnjë vend tjetër ku të shkojë.

Ajo fillon rrëfimin e saj duke treguar për dhunën fizike të ushtruar nga djemtë e burrit.

“Nuset e djemtë, edhe fëmijët e tjerë i kanë shti me më mshu (godit) mua, por unë nuk jam dorëzu. Nonstop më kanë thanë pse ke ardhur me marrë babën e dy djemve e një vajze. Tu më thonë çka ke lyp me ardhë me marrë babën tonë. Unë nuk kam kqyr pasuri kam kqyr veç me çu një jetë me të”, rrëfen 54 vjeçarja e dëbuar nga shtëpia nga burri i saj.

Tutje ajo shton se është viktimë e dhunës në familje, ndërsa ka menduar edhe vetëvrasjen për shkak të padrejtësive që i janë bërë.

“E kam lajmëruar dhunën në polici në Prizren. Njëherë e lash të mendohem t’i marr këshillat  policisë, çka të më thonë dhe të mendohem a të kthehem apo të bëj vetëvrasje aty e kam mendu me  përfundu shtëpia e jemja e fundit se skam pasur ku të shkoj. Që 17 vite jam martuar, rrahje kam pasur jashtëmase edhe ofendime të gjitha i kam përballu atë ditë që më ka përzanë nuk kam mujt me duru. Jam me shumë sëmundje, katastrof”, vazhdon rrëfimin gruaja 54 vjeçare e strehuar në njërën nga strehimoret e Kosovës.

Tutje, 54 vjeçarja nis të rrëfejë edhe se si i ishte premtuar trashëgimi por tani ka mbetur pa asgjë.

“Kam thirrur policinë në telefon edhe më kanë pyetur a ke zgjidhje ku me shku. Nuk kam asnjë pronë të trashëguar asnjë pronë nga familje. Padinë e kam hapur ndaj burrit 17 vitet e mia dëmshpërblim pse kam ardhur deri këtu. Djali i tij që ka dhanë premtim që 60 ari më kanë thanë që ti kemi lanë tash asgjë hiç Zoti një e policia ku më kanë pru. Tash skam asgjë. Padinë e kam bërë që katër muaj apo ma tepër. Unë i lajmërova te ndihma juridike ma gjetën avokatin e kërkova, por deri tash nuk ka asgjë. Ndëgjova që ka thanë burri që për shkak se e kam lajmëruar në polici nuk i është përgjigjur thirrjeve të gjykatës”, shton ajo.

Gruaja e larguar nga shtëpia pas dhunës fizike ndaj saj mes lotësh tregoi se nuk ka ku të shkojë përveç strehimores.

“Unë skam ku me shku, nuk kam po i falenderoj strehimoren që më kanë prit. Nuk kam ku shkoj”, përfundon rrëfimin ajo.

Drejtoresha e Strehimore në Prizren, Jubilea Kabashi për ekipin e Drejtësia në Kosovë tregon edhe disa nga arsyet e grave që dalin nga shtëpitë dhe dërgohen në strehimore.

“Një ndër arsyet që vjen deri te dhuna në familje është edhe çështja e pronës dhe shumë gra dihet që kanë edukim të mangët dhe papunësi thuajse asnjëra nuk është e punësuar dhe kjo shkakton pasigurinë e tyre në familje ku ka buru edhe dhuna dhe të vetmen derë të hapur e kanë strehimoren”, thotë Drejtoresha Kabashi.

Drejtoresha e Strehimores në Prizren, Jubilea Kabashi, Foto: KALLXO.com

Drejtoresha e Strehimores në Prizren, thekson se institucionet relevante kanë dështuar që të bëjnë zgjidhje për gratë që janë viktima të dhunës në familje dhe të trashëgimisë.

“Po gjatë viteve gjithmonë kemi pasur raste recidive, ka raste të tilla dhe shohim aty pak dështim të institucioneve që nuk është bërë një zgjidhje adekuate për këto gra”, thotë tutje Kabashi.

Ajo shton se gratë për shkak të arsyeve të shumta e që në to hynë edhe çështja e pronës, kërkojnë ndihmën e strehimoreve për shkak se nuk kanë ku të jetojnë.

“Fatkeqsisht qysh në fillim e cekëm çështjen e pronës, gratë nuk e kanë statutin e banimit të zgjedhur dhe statutin e punësimit pra janë të varura e të izoluara dhe ka raste ku janë dëbuar e kanë dalë të jetojnë me qira, më pas dalin telashe të tjera që nuk kanë mundësi të paguajnë dhe kërkojnë ndihmën tonë  me u strehu”, shpjegon Kabashi.