VIDEO - ‘Goditje e tavolinave’, protesta e opozitës në Kuvend

Opozita është duke penguar fjalimet e deputetëve të mazhorancës duke goditur tavolinat e Kuvendit të Kosovës.

Me fillimin e seancës, opozita kërkoi që të mos vazhdohet me seancën e re pa u votuar komisioni hetimor për energjinë.

Mirëpo Kuvendi vazhdoi punimet dhe gjatë deklarimeve jashtë rendit të ditës të deputetëve të mazhorancës, opozita është duke goditur tavolinat në shenjë proteste për të mos lejuar mbajtjen e kësaj seance duke krijuar zhurmë.

Pavarësisht zhurmës dhe protestës së partive opozitare, fjalimet janë mbajtur.

Gjatë pyetjes parlamentare të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) Enver Dugolli, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku ka shkruar tek foltorja duke e goditur foltoren me shishe të ujit.

Seancën e kaluar nga 61 deputet sa ishin të pranishëm, tre prej tyre morën pjesë në votimin në lidhje me formimin e komisionit hetimor parlamentar, lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Me 19 prill me pjesëmarrjen e vetëm 33 deputetëve në votim, nuk ka kaluar mocioni procedural për të futur në rend të ditës formimin e komisionit hetimor parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK kishin lëshuar seancën duke deklaruar se nuk do të marrin pjesë në asnjë votim deri në formimin e këtij komisioni.

Një ditë më vonë, dështuan edhe disa mbledhje të komisioneve parlamentare pasi opozita refuzoi pjesëmarrjen në mbledhje.

Formimi i komisionit hetimor parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës, nuk kishte kaluar në seancën e Kuvendit të Kosovës të mbajtur më 28 mars të këtij viti.

Opozita po kërkon që të hetohen vendimet e Qeverisë, në kohën kur vendi ishte përballur me krizë energjetike dhe reduktime të energjisë elektrike në dhjetor të vitit të kaluar.

Ndërsa mazhoranca është duke kërkuar që hetimet për energjinë të bëhen nga viti 2008 deri në vitin 2022.