Foto: KALLXO.com

VIDEO: Gjykimi për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, flasin avokatët e të akuzuarve

Pas seancës së gjykimit të të akuzuarve për vrasjen e Oliver Ivanoviqit janë deklaruar avokatët e dy prej të pandehurve.

Avokati i Silvana Arsoviqit, Musa Damati, tha se këto ditë disa nga figurat e larta të politikës serbe përmes deklaratave të tyre kanë tentuar ta politizojnë përfshirjen dhe angazhimin tij si avokat në këtë çështje penale.

“Unë i demantoj ato, nuk janë të vërteta dhe deklaratat e tilla mund të interpretohen si ndërhyrje në drejtësi. Unë si avokat punoj që nga fillimi në këtë çështje voluminoze penale dhe do ta jap kontributin tim profesional maksimal që të konkretizohet pafajësia e klientes time dhe në fund do të konfirmohet se klientja ime është e përfshirë në mënyrë aksidentale në aktakuzën e Prokurorisë Speciale”, tha avokati Damati.

Ndërsa avokati i Rade Basaras, Tomë Gashi, tha se klienti i tij ka qenë hetues i Policisë së Kosovës.

“Nuk ka kurrfarë prova sepse ai këtë nuk e ka bërë, kurrfarë informata nuk iu ka dhënë shërbimeve serbe, në kuptimin as policisë serbe dhe as të tjerëve. Ai ka pasë një hierarki të cilës i ka dhënë përgjegjësi dhe të gjithë janë zyrtarë të lartë të Policisë së Kosovës”, tha avokati Gashi.

“Është e rëndësishme që të vërtetohet se pjesëtarët e Policisë së Kosovës nuk kanë qenë të përfshirë në vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq. Sa i përket Millan Radoiçiqit pa marrë parasysh aludimet për të që kinse Rade Basara dhe të tjerët i kanë takuar grupit të tij kriminal, nuk ka ende një vendim të plotfuqishëm për ndjekjen e tij, për implikimin e tij në vrasjen e Oliver Ivanoviqit”, shtoi avokati Gashi.

Ai po ashtu shtoi se kërkojnë nga Gjykata të ndërpritet masa e paraburgimit ndaj Basaras.