VIDEO - Gjilanasja: Virusi nuk është rrenë, po e provoj në lëkurën time

Një grua rreth të  60-ave, është shtrirë në Spitalin Rajonal të Gjilanit, në repartin e Infektivës thash e dhjetë ditë ndërsa ende nuk është shëruar nga coronavirus.

Gruaja që nga fillimi kur ishte shtrirë në repart, ishte trajtuar me oksigjeno- terapi ndërsa gjatë ditës së djeshme ka filluar të i përmirësohet gjendja.

 

Gjilanasja: Virusi nuk është rrenë, po e provoj në lëkurën time

Gjilanasja: Virusi nuk është rrenë, po e provoj në lëkurën time

Publiée par Kallxo.com sur Mercredi 5 août 2020

 

Mjekët të cilët kanë trajtuar 58 vjeçaren, tregojnë për ekipin e KALLXO.com se për shkak të gjendjes së rënduar, nuk kanë besuar se e njëjta mund të mbijetonte.

Pacientja rrëfen për KALLXO.com simptomat dhe trajtimin mjekësor.

“Gjendjen e kam pasur shumë të rëndë. Falë mjekëve jam mirë tani. Kam qenë e plogësht, e lodhur, e sëmurë, koll, temperaturë, ethe. Frymëmarrjen e kam pasur të vështirësuar shumë. Kam qenë në gjendje shumë të rëndë”, rrëfen ajo.

Ajo apelon qytetarët që të kenë kujdes.

“Nga përvoja ime nga sëmundja ime, ju lutem ruhuni, populli le të ruhet, mos të dalin pa maska pa doreza, le të ruhen se shumë e keqe ish. Vetëm ai që po e përjetojke po e dijke çka është se me të vërtet ish e rëndë”, vazhdon rrëfimin 58 vjeçarja.

Spitali Rajonal i Gjilanit po trajton 60 pacientë me coronavirus. Këta pacientë po trajtohen në pesë repartet e këtij spitali.

Momentalisht, repartet që po trajtojnë pacient me COVID-19 në Gjilan janë, repart i Infektivës, ai i Pulmologjisë, i ORL-së, i Neurologjisë dhe një repart tjetër që shfrytëzohet si njësi intensive.

Në Kosovë, në bazë të statistikave të fundit, numri i të prekurve me COVID-19 është 9 mijë e 492.

Nga kjo shifër janë shëruar 5 mijë e 346 persona ndërsa numri i viktimave është rritur për 15 sot.

Gjithsej numri i të vdekurve nga coronavirus është 284.