VIDEO- Gjendja nga zjarret në Shëngjin
Flakët kanë përfshirë malet në qytetin bregdetar të Shqipërisë, Shëngjinin më 27.07.2024, të cilat më pas u rindezën mëngjesin e datës 29.07.2024.
Teksa kanë publikuar pamje të gjendjes pas zjarreve më 30.07.2024, Policia e Shtetit ka bërë të ditur se rreziku vazhdon të jetë ende i lartë.
Për të parë nga afër situatën, në vendngjarje ka shkuar edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Taulant Balla.
Balla ka theksuar se duhet të mirëadministrojnë forcat pasi sipas tij ka edhe plot zjarrë të tjera në zona të caktuara.
“Na duhet të mirëadministrojmë dhe forcat sepse e vërteta është që kemi edhe plot zjarre të tjera në zona të caktuara. Kemi sjellë këtu forca nga Berati, Fieri, nga Tirana e Kamëza dhe bashkitë fqinje me bashkinë Lezhë dhe na duhet që ta vendosim tërësisht nën kontrollë ditën e sotme për të qenë të përgatitur për situata të tjera edhe më të vështira”- është shprehur Balla.
Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara, njoftoi se po mbështete nga helikoprerët që sipas tij po e lehtësojnë deri diku punën.
“Mendojmë që gjatë ditës do e vendosim nën kontroll dhe do e mbyllim përfundimisht vatrën e zjarrit”- ka shtuar Cara.
Në një njoftim të Prefekturës së Lezhës, mëngjesin e së martës, theksohet se “vatra e zjarrit në fshatin Mal Shëngjin ka dalë plotësisht jashtë kontrollit”, raporton REL.
Sipas njoftimit, gjatë gjithë natës kanë operuar 20 mjete zjarrfikëse me personelin përkatës në përpjekje për të lokalizuar flakët.
Një ditë më parë, Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë njoftoi se në 24 orët e fundit ishin verifikuar 30 vatra zjarri, nga të cilat 22 janë shuar.
Mbrëmjen e së hënës është shuar zjarri në fushën e grumbullimit të mbeturinave në periferi të Vlorës, që ishte aktiv prej disa ditësh. Për vënien nën kontroll të kësaj vatre zjarri është nevojitur ndërhyrja e ushtrisë.
Zjarri shkaktoi re të mëdha tymi dhe erë të pakëndshme, të cilat u përhapën në gjithë qytetin e Vlorës në kulmin e sezonit turistik.
Autoritetet kanë bërë të ditur se 1.300 zjarrfikës në gjithë vendin nuk e përballojnë situatën e zjarreve.