VIDEO - Gërvalla pret homologen nga Finlanda, flasin për sfidat e sigurisë në Europë
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, ka zhvilluar takim me ministren e Punëve të Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen.
Gërvalla ka thënë se në takim kanë diskutuar për sfidat e sigurisë në Europë. Ajo tha se roli i NATO-së vazhdon të jetë jetik në stabilitetin e rajonit, ndërsa shtoi se synim i Kosovës mbetet anëtarësimi në këtë organizatë.
“Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve tona u përqendrua në sfidat e sigurisë në Europë. Agresioni rus ndaj Ukrainës dhe sjellja hegjemoniste ndaj fqinjëve të Rusisë në Europë paraqesin kërcenim serioz. Ne në Kosova qëndron fuqishëm në mbështetje të Ukrainës. Për me tepër roli i NATO-s vazhdon të jetë jetik për stabilitetin e rajonit tonë. Jemi të përkushtuar të përforcojmë marrëdhëniet tona me NATO-n. Synimi mbetet anëtarësi. Përvoja e Finlandës na shërben si shembull”-tha ajo.
Gërvalla tutje njoftoi se kanë diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës dhe çështjen e urës mbi lumin Ibër.
“Kemi diskutuar për zhvillimet në veri dhe urën në Mitrovicë. Kjo urë që ka simbolizuar ndarje dhe përçarje për shumë vite duhet të hapet. Vetëm kështu ajo shndërrohet në simbol të pajtimit dhe bashkimit”- u shpreh Gërvalla.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Gërvalla dhe Valtonen do të vizitojnë edhe memorialin “Heroinat” në Prishtinë.
Ndërsa, Valtonën do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti në ora 15:00.
Ndërkohë patrullimi i shtuar i pjesëtarëve të KFOR-it në urën mbi lumin Ibër vjen pas deklarimeve të Qeverisë së Kosovë se ura duhet të hapet për qarkullim edhe të veturave.
Ndërkombëtarët e kanë kundërshtuar këtë gjë, duke bërë thirrje se çështja e urës duhet të diskutohet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.