Ministrja e Jashtme Donika Gërvalla në Komision parlamentar, 7 mars 2022, Foto: KALLXO.com

VIDEO - Gërvalla: Kemi kërkuar nga KFOR-i bllokimin e hapësirës së lartë ajrore të Kosovës

Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë, po mban takim me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla, lidhur me zhvillimet dhe veprimet pas fillimit të luftës në Ukrainë.

Ministra ka thënë se Kosova shumë shpejt dhe qartë është pozicionuar në krah të partnerëve dhe aleatëve të saj.

Në lidhje me sigurinë. Gërvalla ka bërë të ditur se kanë kërkuar nga misioni i KFOR-it që të bllokojë hapësirën ajrore të Kosovës.

“Kemi kërku nga KFOR bllokomin e hapësirës së lartë ajrore konform vendimit. Na është premtuar nga KFOR që këtë kërkesë do ta marrin seriozisht”, tha ajo.

Ministrja ka shtuar se nuk duhet të ketë panik  për situatën e sigurisë në Kosovë.

“Në Kosovë nuk ka nevojë të ndjej panik për situatën sepse nuk ka shenja. Por kemi nevojë të jemi të kujdesshëm. Kemi vërejtur provokime që fqinji jonë verior [Serbia] nuk është i sigurtë në Kosovë, por kjo nuk është e vërtetë. Ka tentativa por organet e rendit janë në krye të detyrës”, tha ajo.

Tutje Gërvalla theksoi se ndikimi rus në rajon është i madh.

“Ndikimi rus në rajonin tonë është i madh dhe i rrezikshëm. Ndikimi organizohet përmes fqinjit tonë Serbisë. Në secilin takim jam përpjekur që ta vë në pah”, tha ajo.

Gërvalla foli edhe për kërkesën që Kosova të bëhet pjesë e NATO-s.

“E kemi ngrit zërin për njohjen e pesë shteteve të BE të cilat nuk e kanë njohur ende Kosovën. Në të gjitha format e mundshme diplomatike e kemi bërë të qartë që Kosova të jetë pjesë e NATO-s. Ne punojmë fort të kapërcehen disa faza dhe Kosovës t’i ofrohet mundësia të jetë sa më afër NATO-s”, tha ajo para Komisionit.

Në anën tjëtër, kryetari i Komisionit nga radhët e LVV-së,  Haki Abazi tha se për temat që nuk mund të bisedojnë hapur, mbledhja do të mbahet e mbyllur për mediat.