VIDEO - Gazetari viziton vendin ku vdiq punëtori pas rrëshqitjes së dheut në Prishtinë
Në emisionin e sontëm të KallxoPërnime, po transmetohet reportazhi që trajton ndërtimet e rrezikshme, pas dy rasteve të shembjes së dheut në dy vendpunishteve në kryeqytet, e që në njërin rast vdiq një punëtor.
Gazetari i KALLXO.com, Egzon Dahsyla, ka vizituar edhe dy vendpunishteve ku ka pasur shembje të dheut.
Të dyja kompanitë që janë investitorë në këto vendpunishte nuk kanë pranuar të deklarohen përmes telefonit.
“Egzon jam nxënë me disa mysafirë..’ – ka ndalur telefonin Isa Ejupi, njëri prej investitorëve në kompaninë “Alb Dizajn” pasi Egzon Dahsyla prezantohet si gazetar.
Ndërsa, avokatja Bedrie Rexhepi që është avokate e personit të arrestuar në lidhje me rastin në Veternik, ka thënë që për momentin nuk mundet më dhanë informata, për shkak se rasti është ende në fazën fillestare.
Ajo tha se klienti i saj ka qenë vetëm nënkontraktor.
“Ende nuk është që mundem me të dhënë informacion, sepse ende është shumë herët, është në fazën e hetimeve. Po besoj që gjatë ditëve në vazhdim mundem me të dhënë informacione më shumë. Për shkak se aq sa kam unë informacione, klienti im ka qenë vetëm nënkontraktorë. Të shohim, tash zhvillohen hetimet edhe me ndërtuesin ku po ndërtohet objekti. Pastaj është duke u marrë edhe Inspektoriati i Komunës dhe Inspektoriati i Punës, kështu që besoj që pas një jave – 10 dite, mundemi me pasë më shumë informacione” – tha ajo.
Reportazhi transmeton edhe tentativën e tretë për t’u vënë në kontakt me njërin prej pronarëve të kompanisë “Izolimi”. Kjo kompani është nënkontraktor në vendpunishtën në Vetërnik, ku ka ndodhë incidenti me fatalitet më 05.04.2025. Por i njëjti nuk ka hapur telefonin.
Ekipi i KALLXO.com shkon edhe te vendpunishtja në lagjen Velania ku ndodhi një rrëshqitje tjetër të dheut më 06.04.2025.
Nga aty përmes telefonit, Qamil Hadërgjonaj nga kompania “Gështenja”, pasi dëgjoi pyetjen ndërpreu telefonatën.
As Komuna e Prishtinës e as kompanitë që janë duke kryer punime në dy lokacione në Prishtinë, ku pati shembje të dheut në datat 5 dhe 6 prill 2025, nuk dhanë japin informacione se çka ka ndodhur saktësisht.
Arsim Rapuca, është kryetar i Odës së Inxhinierëve të ndërtimit të Kosovës.
Ai pranoi të flasë publikisht për arsyet se pse kompanitë i shmangin sigurinë në vendpunishte dhe përfitimet që ato i kanë.
“Ka disa metoda për mbrojtjen e gropave ndërtimore, por e para duhet me u bë sigurimi i vendpunishtes, duhet të rrethohet hapësira ku do të bëhet ndërtimi. Mandej sigurimi i gropës varësisht thellësisë dhe dheut. Metoda e parë është me anë të gërmimit të skarpateve, pra gërmohet dheu në pjerrësi, duhet me u kalku varësisht nga parametrat e dheut në atë mënyrë që mos me ndodhë rrëshqitja” – tha mes tjerash ai.