VIDEO: Fushë-Kosovë, rrahu nxënësin, paralajmërohen masa ndaj arsimtarit

Drejtori i shkollës ‘Bajram Curri’ në fshatin Harilaq të Fushë-Kosovës ka paralajmëruar masë ndëshkuese ndaj arsimtarit të fizikës, i cili po pretendohet se e rrahu një nxënës të klasës së 7-të në këtë shkollë.

1 Qershori – Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve nuk ishte ditë feste edhe për një 13-vjeçar nga Harilaqi i Fushë-Kosovës.

Rastin e dhunës në shkollë, prindi i nxënësit të rrahur e ka raportuar mbrëmë në KALLXO.com, ndërsa rasti gjithashtu është i raportuar edhe në Polici dhe në Drejtori të Arsimit.

 

Tahir Shabani, drejtor i shkollës, për KALLXO.com ka thënë se dhuna ka ndodhur pas një incidenti të vogël mes dy shokëve të bankës.

“Problemi ka lindur se në orën e mësimit, ai nxënësi i ka ra shokut të vet, edhe e ka qortu dhe ka ardhë deri te ngrehja e veshit, qysh po thotë ai, se unë bisedova edhe me nxënësit. Problemin unë veç e zgjidha, por një faj ia lash edhe prindit, pse nuk ka ardhë. Edhe ai e mori fajin. Edhe ai tha që gabimi im është që nuk kam ardhë me bisedu edhe nuk ishim ardhë deri te ky problem”, ka thënë Shabani.

Drejtori i shkollës ka thënë se nxënësi që është rrahur, ditë më parë ka qenë i suspenduar bashkë me dy nxënës të tjerë dhe sipas tij, arsimtari që e ka rrahur, nuk e ka ditur për këtë suspendim.

Tahir Shabani, drejtor i shkollës në Harilaq – Foto: KALLXO.com

 

“Ai fëmijë një ditë përpara ka qenë i suspenduar prej kujdestares së klasës dhe ka kërkuar që fëmija me gjithë prind me ardhë në drejtori, te drejtori i shkollës, me bisedu për problemin që ka ndodhë një ditë përpara me arsimtarë të tjerë. Edhe tashmë ai fëmijë, edhe pse ka qenë i suspenduar, ka ardhë. Por arsimtari nuk e ka ditë që ka qenë i suspenduar”, shtoi drejtori.

Ndërsa shoku i bankës së nxënësit të rrahur ka rrëfyer versionin e tij se si ka ndodhur ngjarja.

“Edhe tani ai shoku im nuk e ka pasur lapsin, edhe ai e kish lonë dorën ku me e ditë pahiri a najsen, nuk e ka pasur me qëllim, se na dy kurrë nuk jena rrokë. Edhe tani ku me e ditë arsimtari e ka keqkuptu, se edhe kur u konë nervoz me klasën tjetër edhe është shfry te ai shoku jem. Edhe tani qashtu ndodhi ai rasti. Tani e ka rrehë”, ka thënë shoku i bankës së nxënësit të rrahur.

Kurse drejtori i Arsimit në Komunën e Fushë-Kosovës, Samir Shahini, ka thënë se Drejtoria e tij e ka udhëzuar drejtorin e shkollës se si duhet të veprojë në këtë rast, ku proceduralisht i takon atij që të marrë masa.

Samir Shahini, drejtor i Arsimit në Fushë-Kosovë – Foto: KALLXO.com

“Drejtori më tregoi se ka pasur ushtrim dhune nga ana e një mësimdhënësi, kundrejt një nxënësi të klasës së 7-të. Pastaj gjatë bisedës me drejtorin i rikujtova që proceduralisht drejtori duhet të fillojë një masë disiplinore ndaj mësimdhënësit pasi të merren të gjitha faktet në konsideratë. Pra duhet të merret një deklaratë e mësimdhënësit, deklaratë e prindit i cili e ka raportuar rastin dhe po ashtu një deklaratë e nxënësit dhe potencialisht të nxënësve të tjerë në klasë, që të shihet se çka ka ndodhur”, ka thënë Shahini.

Prindi i nxënësit, për KALLXO.com ka thënë se ka shkuar dhe ka biseduar me mësimdhënësin dhe kur e ka pyetur se pse ia ka rrahur djalin, ai i ka thënë se “është halitë nxënësi”.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me arsimtarin që pretendohet se e ka rrahur nxënësin por nuk ka pranuar të deklarohet rreth rastit.