Video: FSK realizon trajnimin 'Simboli i Ujkut'

Komanda e Forcave Tokësore e Forcës së Sigurisë të Kosovës, gjatë muajit dhjetor ka realizuar trajnimin taktik dhe të mbijetesës “Simboli i Ujkut“.

“Simboli i Ujkut” është njëri prej trajnimeve më të avancuara dhe me sfiduese sipas FSK-së, me të cilat përballen pjesëtarët e FSK-së.

FSK ka njoftuar se trajnimi zhvillohet në dy faza, në fazën teorike dhe atë praktike.

“Njohuritë e fituara në fazën teorike pjesëtarët kanë mundësinë që t’i testojnë edhe në atë praktike në shumë tema si: navigimi ditën dhe natën, lidhjet, repelimi, kalimi i pengesave ujore, marshime me pesha të rënda, marshime të gjata, evakuim i viktimave, shkëputja e kontaktit dhe formacionet e lëvizjes, ngritja e kurtheve dhe strehimoreve si dhe mbijetesa në kushte të dimrit”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, gjatë fazës finale të gjitha temat e mësuara duhet të aplikohen me saktësi nga pjesëtarët në operacionin final, i cili në fillim zhvillohet në ujin e akullt të Liqenit të Radoniqit dhe më pas vazhdon me marshime të gjata dhe me detyra të shumta përgjatë gjithë operacionit.

 

Në trajnimin “Simboli i Ujkut “pjesëtarët përballen me vështirësi të mëdha, duke bartur pesha të rënda me mbi 40 kg dhe vetëm me nga një racion ushqim në 24 orë.

Trajnimi ka për qëllim testimin dhe avancimin e kapaciteteve taktike, fizike dhe psikike të pjesëtarëve të FSK-së.

FSK ka njoftuar se trajnimi përfundon me sulmin në objektiv, i cili përcillet me marshimin tradicional në kazermën “Ushtarët e NATO-s“ në Istog.

FSK ka njoftuar se ka mbajtur edhe ceremoninë e përfundimit të këtij trajnimi, ku të gjithë pjesëtarët u pajisen me certifikata dhe me simbolin e ujkut, simbol ky të cilin do ta bartin gjatë gjithë karrierës së tyre ushtarake.