VIDEO- Frashër Krasniqi i del në rrugë Dejona Mihalit, e sfidon me pyetje dhe e ofendon
Anëtari i kryesisë së Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Frashër Krasniqi e ka ballafaquar me një sërë pyetjesh Dejona Mihalin, koordinatoren e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, teksa kjo e fundit ka zgjedhur heshtjen.
Në një video të publikuar nga Krasniqi, ai e pyet Mihalin se “si po i ecë me udhëheqjen e shtetit të Kosovës”.
Krasniqi e pyet Mihalin edhe për ish-kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqin, pas publikimit të mediumit “Nacionale” të një bisede të pretenduar ndërmjet zyrtares së LVV-së dhe ish-kryeshefit.
“Qysh po të ecë me udhëheqjen e shtetit të Kosovës? Ose ma mirë me thënë, qysh po të ecë t’u kanë masha e Albin Kurtit? A po të ecë mirë? Me Nagipin mirë? Me krejt kontrollin e ndërmarrjeve publike? Pse s’po flet? S’po ki çka me thënë? Qysh s’po ju vjen turp pak? E keni kapë shtetin e keni shtri kontrollin gjithkah, tash po i kontrolloni edhe kur nalet e kur vie rryma. Hiç s’po ki turp e nuk po ta ninë hiç. D.m.th qesi roboti je ti, je thjesht një instrument, robot që të kontrollon Albin Kurti? Edhe s’të vjen turp edhe nuk flet fare”- dëgjohet duke pyetur dhe ofenduar Krasniqi.
Ndërkohë Mihali nuk përgjigjet në asnjë nga pyetjet e parashtruara nga Krasniqi por vetëm vazhdon të ecë.
“A jua ke shkru krejt fjalimet deputetëve të LVV-së a hala, qetash po shkon me jua shkru, turp”- i drejtohet Krasniqi Mihalit.
Në shtator të këtij viti, Mihali ishte paraqitur në cilësin e dëshmitares në Prokurorinë Speciale.
Pas intervistimit të saj, që u bë me ftesë të Prokurorisë, ajo nuk pranoi të deklarohet për media.
Në anën tjetër as në njoftim fillestar të Prokurorisë nuk janë dhënë detaje konkrete se për cilat raste ka dëshmuar Mihali, por vetëm thuhet se “është intervistuar në cilësinë e dëshmitares për disa çështje penale të cilat kjo prokurori i ka në hetim”.
Ndërsa, Nagip Krasniqi po akuzohet se kishte filluar ta keqpërdorë detyrën zyrtare që nga 15.10.2021 deri më 19.04.2023.
Krasniqi nga Prokuroria Speciale po akuzohet se ka bërë tregti për energji elektrike me një kompani slloven e cila nuk ishte e licencuar në Kosovë.
Ai më 08.10.2024 nuk e ka pranuar fajësinë në seancën e shqyrtimit fillestar lidhur me akuzën që prokurorial ja vë në barrë.