FOTO - KALLXO.com

(VIDEO & FOTO) Protestuesit në veri marrin “mbështetje” nga serbët e jugut

Një pano e vendosur në njërin nga kamionët e mëdhenj që ka bllokuar rrugën drejt pikës kufitare me Serbinë, në Jarinje, shpreh përkrahjen e protestuesve serb nga veriu edhe nga qytetarët serb të qendrës dhe jugut të Kosovës.

“Vëllezërit nga jugu, janë me vëllezërit e tyre nga veriu”, është mbishkrimi në panon që mbulon kamionin, ndërsa në të janë shkruar edhe emrat e dy komunave Graçanicës dhe Shtërpcës, të cilat në mes e kanë të vendosur një logo që kohë më parë është lansuar si stemë identifikuese për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Përkundër kësaj panoje të vendosur në kamionin masiv dhe me mbishkrimin përkrahës, në terren nuk vërehet numër i shtuar i protestuesve serb të jenë bashkëngjitur në protestë.

Protesta e qytetarëve serb të Kosovës, po vijon në pjesën veriore të Kosovës, ndërsa dy nga gjashtë  pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, ajo në Jarinje dhe në Bërnjak, janë të bllokuara.

Gjithashtu, njësitet policore të Kosovës, po vazhdojnë të qëndrojnë në këtë pjesë për të siguruar implementimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për vënien e masës së reciprocitetet për targat e automjeteve të Serbisë.