(VIDEO) Fatmir Sejdiu flet pas takimit me Isa Mustafën

Ish kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Sejdiu ka zhvilluar sot gjatë ditës një takim me kryetarin aktual të kësaj partie, Isa Mustafa.

 

Ky takim ka ndodhur për herë të parë  pas disa viteve ndërsa pas takimit, Sejdiu tha se i ka paraqitur Isa Mustafës gatishmërinë për të marrë udhëheqjen e LDK-së.

“Unë gjithmonë kam pasur dhe kam shprehur gatishmërinë time që të marrë përgjegjësitë e duhura në udhëheqje të LDK-së dhe natyrisht paraqitje formale bëhet në Kuvend. Do të analizoj deri atë ditë. Unë kam vendosur përgjegjësinë time për të qenë i gatshëm për të marrë përgjegjësi”, tha Sejdiu për KALLXO.com

Sejdiu tha se pret që propozimi dhe qasje e tij do të merret parasysh nga Isa Mustafa dhe të tjerët brenda LDK-së.

“Kisha një takim me kryetarin Mustafa, biseduam për situatën politike aktuale, folëm për mobilizimin për zgjedhje dhe mendoj se duhet gjetur shtegun ma të mirë të mundshëm për me pas një proces të mbarë.”, tha Sejdiu duke mos dashur të jep më shumë komente për çfarë ishte biseduar brenda takimit.

Fatmir Sejidu kishte marrë postin e kryetarit të LDK-së në zgjedhjet e para pas vdekjes së ish –Presidentit, Ibrahim Rugova në kuvendin e famshëm të karrigeve.

Ai kishte mbajtur detyrën e kryetarit të partisë deri kur në krye të saj kishte ardhur Isa Mustafa.