Foto: KALLXO.com

Viktimat e tërmetit nga Kosova, familja Abazi hap të pame për djemtë

Familja Abazi nga fshati Livoç i Epërm i Gjilanit ka hapur të pame për dy djemtë e saj, Shemsedin dhe Isa Abazin, që humbën jetën në tërmetin e djeshëm në Shqipëri.

Shemsedin dhe Isa Abazi mbetën të vdekur nën rrënojat e një hoteli në Durrës, ku ishin duke qëndruar natën kritike kur vendi u godit nga tërmeti prej 6.4 shkallës të Rihterit.

Babai, Shukri Abazi e ka të vështirë ta përballojë humbjen e dy djemve, të cilët pas vetes i lanë 6 fëmijë.

Për KALLXO.com ai tregon se dy djemtë e tij kanë shkuar në Shqipëri për punë.

“Pardje në mëngjes kanë shkuar, shkojnë punojnë me motorë të kerreve, rregullisht shkojnë. Ministria ka mbetur të shkojë atje sot, deri pasdite dikur i sjellin”, tha ai.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka njoftuar se buxheti i paraparë për aktivitetet për festimin e 28 Nëntorit do t’i dhurohet familjes Abazi në shenjë solidarizimi.

 

“Në mëngjes kam vendosur që meqë është reduktuar aktiviteti dhe janë anuluar aktivitet kulturore, mjetet e parapara për manifestim kulturore do të zhvendosen në shenjë solidariteti për familjen Abazi dhe sipas sasisë së mjeteve një pjesë do të shkoj edhe për familjet e viktimave në Republikën e Shqipërisë. Nuk kam shifër të saktë të këtyre mjeteve por sipas aktiviteteve që janë paraparë vijat buxhetore janë të qarta të gjitha ato mjete mund të zbriten dhe do ti dedikohen familjes Abazi në radhë të parë” tha Haziri.

Edhe familja Abazi ka hapur një xhirollogari për të gjithë qytetarët që duan të ndihmojnë. Kjo llogari është në emër të Besim Abazi.

Isa Abazi ishte 29 vjeç, ai pas vetës la bashkëshorten dhe dy djem, ndërsa Shemsedin Abazi ishte 32 vjeç dhe la pas vetes bashkëshorten me 4 fëmijë- 3 djem dhe 1 vajzë.

Varrimi i të ndjerëve bëhet nesër në ora 12:30 në varrezat e fshatit Livoç i Epërm.

Tërmeti në Shqipëri la të vdekur mbi 30 persona ndërsa 600 të tjerë kanë pësuar lëndime e mijëra kanë mbetur të pastrehë.

KALLXO.com ka krijuar platformën ‘Kallxo për Shqipërinë’ në përpjekje për ta kanalizuar solidaritetin e kosovarëve të treguar që nga orët e para pas tërmetit shkatërrimtar.

Me anë të kësaj platforme, KALLXO.com synon krijimin e një qendre online përmes të cilës individët, grupet dhe organizatat që dëshirojnë t’u dalin në ndihmë atyre që kanë nevojë në Shqipëri në këto ditë të vështira, të kenë mundësi të ndihmojnë.