VIDEO: Fajdetë në Tiranë, bie në pranga i riu nga Kosova

Një tjetër i hetuar i akuzës ka pranuar përpara gjykatës përfshirjen në skemën e marrjes së parave me përqindje, thënë ndryshe para me fajde.

Qerim K. 30-vjeç i tha gjyqtares së masave të sigurimit personal Shefkie Demiraj se në marrëveshje i kishte marrë kallëzueses 80 mijë euro, por që me përqindje kishin shkuar 170 mijë euro.

I arrestuar menjëherë mbasi hyri në Shqipëri, 30-vjeçari u justifikua se borxhin me përqindje e mori nga mikpritësja me synimin për t’i investuar në kriptomonedhë. Duke përfshirë edhe përqindjet ky borxh sipas tij i shkoi në 135 mijë euro. ‘I kam investuar paratë në bursë tek një shtetas nga Maqedonia’, shtoi më tej në dëshmi i riu nga Kosova.

Qerim K. hyri në miqësi me gruan e cila jo vetëm e strehoi në hotel, por edhe u kujdes kur ai u sëmur nga COVID-19. Gjatë kësaj miqësie, gruaja u mashtrua dhe sipas saj borxhi ishte vetëm 135 mijë euro që iu kërkua në disa këste.

‘Qerim K. më tha se do m’i kthente paratë sapo t’i hapej llogaria bankare’ – tha gruaja pranë autoriteteve, atëherë kur e kuptoi se ishte gënjyer dhe miku e kishte bërë bllok në telefon.

Qerim K. përsërit nga ana e tij se edhe ai është mashtruar nga një maqedonas që ia përvetësoi paratë dhe pastaj u zhduk. Dëshmia më e re e tij përpara gjykatës flet për para me fajde dhe po vlerësohet nga akuza.

Pamjet mund t’i ndiqni duke klikuar KËTU.

Me gjithë pretendimet e parave me fajde deri më tani janë nën hetim vetëm 5 dosje për fajdet, një proces i cili është i ndaluar nga ligji në vendin tonë.  Në njërën prej çështjeve i akuzuar Ferdinand Rushi, nën akuzë për vrasje është vendosur gjithashu nën hetim pasuror me argumentin dhe indiciet se policia kishte të dhëna që ai ishte përfshirë në dhënien e parave me fajde.

Rasti më i bujshëm i hetimit të borxheve me përqindje është ai i Shkodrës, mbasi ish-prefekti i Shkodrës Paulin Radovani denoncoi rënien në grackë të dy djemve të tij që morën me fajde me 20 për qind interes një borxh dhe që më pas, ata u kërcënuan familjarisht. /Top-Channel