Video ekskluzive të aksionit në veri: Arrestimi i policit të dytë në zyrën e tij

Në emisionin e sotëm në “Drejtësia në Kosovë” u transmetuan filmime ekskluzive nga aksioni i ditës së djeshme në veri të Mitrovicës.

Aksioni i cili po drejtohej nga Prokuroria Speciale në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës dhe njësitet e policisë, kishin cak tre zyrtarë policorë të pozitave të ndryshme të cilët dyshohej se kishin keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare si dhe të njëjtit mundësonin kontrabandën në veri të vendit.

Në pamjet e transmetuara mund të shihni ekskluzivisht arrestimin e zyrtarit të dytë të policisë i cili dyshohej se ishte i përfshirë në kontrabandë, krim të organizuar e keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Bardhyl Haxhimustafa tregon se janë duke shkuar për të kryer arrestimin e udhëheqësit të ndërrimit të vijës kufitare.

“Tash jemi duke shkuar në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut, për të kryer arrestimin e shefit të ndërrimit”, tha Haxhimustafa.

Ekipi i “Drejtësia në Kosovë” ka qenë pjesë e këtij aksioni i cili u zhvillua që nga orët e hershme të mëngjesit dhe përfundoi pasdite me ndalimin e tre zyrtarëve policorë.

Ky aksion ishte vazhdim i aksioneve të kaluara për kontrabandë në veri të Kosovës.

Kujtojmë se në janar të këtij viti, “Drejtësia në Kosovë” transmetoi dy emisione për kontrabandën në veri të Kosovës.

Para se të nisej aksioni në veri, Drejtoresha e Inspektoratit Policor të Kosovës, Miradie Kelmendi tregoi se aksioni është në koordinim me Prokurorinë Speciale.

“Prokuroria Speciale ka zgjeruar hetimet sa i përket kontrabandës, sot mbahet pjesa e dytë e këtij aksioni”, tha Kelmendi.

Burim Raçi, nga IPK, tregoi në lidhje me hapat që do të ndërmerreshin në operacion.

“Kemi me i arrestu tre zyrtarë policorë me urdhër të Prokurorit të Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha”, tha ai.

Bardhyl Haxhimustafa, udhëheqës i këtij operacioni nga IPK, tha se urdhrin e kanë marrë nga Prokuroria Speciale dhe se ai duhej të përmbushej nga ana e zyrtarëve policorë.

“Siç e kemi cek edhe më herët s hetimet do të vazhdojnë nuk do të ndalen për këtë operacion, kemi urdhër verbal nga Prokurori Sylë Hoxha që të arrestohen tre zyrtarë policor9, një toger, një rreshter dhe një polic. Operacioni ka me u zhvillu në tre lokacione, dy lokacione janë në qytetin e Mitrovicë në qytet, në pjesën veriore një është në zyrat rajonale të policisë ku i kanë zyrat policia kufitare dhe lokacioni i tretë është në Leposaviq”, shpjegoi Haxhimustafa.