VIDEO EKSKLUZIVE: Arian Lluka flet nga arratia

I dënuari  në rastin e vrasjes së Fidan Shabit, Arian Lluka ka rrëfyer ekskluzivisht për KALLXO.com si dhe pse u arratis nga burgu.

Që nga 20 tetori i vitit të kaluar, Arian Lluka po kërkohet me anë të një fletë-rreshitimi.

I njëjti ishte lejuar që në datat 17-20 tetor të qëndronte në vikend në familjen e tij e më pas të lajmërohej në burgun e Mitrovicës aty ku po mbante dënimin për vrasje, por kjo nuk kishte ndodhur.

Në një intervistë për KALLXO.com, Lluka tregon arsyen e arratisjes.

“Kam pasur probleme shëndetësore dhe që nga fillimi nuk kam qenë i pajtimit për vendimin e gjykatës ndaj meje dhe kam pasur problemet mjekësore që më kanë lanë mbas dore edhe kam pasur rekomandime me dalë me u shëru jashtë burgut, ndoshta e dini se nuk jam i vetmi që më kanë ndodhur këto gjëra por për me i bo vetës shërim është dashur ta bëj një zgjidhje”, tregon nga arratia për KALLXO.com, Arian Lluka.

Dje,  KALLXO.com, raportoi se Arian Lluka gjendej në Serbi më saktësisht në Nish. Kështu të paktën kishte deklaruar Millena Krstiq e cila më herë ka qenë e akuzuar në Kosovë për trafikim me njerëz, prostitucion e shpëlarje parash.

Krstiq, është liruar nga burgu në 7 nëntor 2017. Në intervistën të cilën Krstiq e kishte dhënë për një televizion serb, ajo kishte treguar vendndodhjen e Llukës.

I pyetur në lidhje me këto pretendime, Lluka shpjegon se si ishte arratisur.

“S’është e vërtetë që kam dalë në Serbi, fillimisht kam dalë në një vend që është ngjitur me Kosovën por s’mundem me përmend ku, pas asaj kam dalë në Serbi dhe kam qëndru një kohë të shkurtër, vetëm deri sa e kam marrë vetën sepse kam pasur dhimbje të madhe të këmbës”, tha ai.

Tutje, Arian Lluka, tregon edhe se si ishte fshehur për të mos u arrestuar gjatë arratisjes.

“Unë si i paralizuar është dashtë me veturë me u largu s’kam mujt në këmbë dhe në mal, kam udhëtuar me kerr, më ka ndihmuar dikush që nuk ka të bëjë më mu as me familjen tem, shqiptar është ai djali edhe aj e ka pa gjendjen qysh e kam pasur dhe me të kam dalë jashtë më ka ndihmu. Me datë 22-23 kam qenë jashtë Kosovës në muajin tetor. Policia me më pas pa ma merr mendja që më kishin ndalë sepse nuk kam asnjë lidhje me ndonjë polic apo me korruptu dikënd. Unë jam fsheh dhe qashtu kam kaluar. Në kepek (bagazh) të veturës jam fsheh”, tregon ai tutje.

KALLXO.com, ditë më parë, raportoi se Arian Lluka kishte tre muaj që ishte arratisur. Ai po vuante dënimin, sipas të dhënave zyrtare për vrasje të rëndë.

Florent Gashi, Zëdhënës në SHKK, i kishte thënë KALLXO.com se Shërbimi Korrektues i Kosovës ka lëshuar fletë- rreshtim për këtë rast ndërsa deri më sot nuk kanë marrë ndonjë informacion se ku mund të jetë Lluka.

“I njëjti ka shkuar në vikend më 17 tetor 2019, ka qenë dashur të kthehet më 20 tetor 2019, në orën 10:00, por ai nuk është kthyer. SHKK e ka evidentuar këtë rast dhe ka bërë fletë-rreshtim për të njëjtin person”, tha zëdhënësi Gashi.

Në një televizion serb, Millena Krstiq, kishte rrëfyer se i kishte ndihmuar Arian Llukës që të arratisej dhe se i njëjti gjendej në Nish.

KALLXO.com kishte raportuar në lidhje me vrasjen e Fidan Shabit nga Peja.

Të akuzuar për këtë vrasje ishin Arian Lluka e Besarta Kastrati- Harxhi.

Në atë kohë, pra në vitin 2014 kur po zhvillohej procesi gjyqësor, Arian Lluka kishte moshë të mitur ndaj disa seanca ishin mbajtur të mbyllura për publikun.

Çka thoshte aktakuza për rastin e vrasjes Fidan Shabit?

Sipas aktakuzës Besarta Kastrati- Harxhi e ka thirrur natën kritike  më 2 maj 2012 viktimën Fidan Shabin në telefon, ka marrë me qira një xhip dhe ka shkuar para banesës se saj në ndërtesën te stacioni i trenit, ku është takuar me Fidan Shabin, të cilin e ka joshur brenda në tavan të banesës, kinse për të bërë marrëdhënie seksuale.

Aktakuza vazhdon se ajo më pas e ka qëlluar disa herë me revole Shabin dhe pas kësaj vepre te krimit e ka thirrur të akuzuarin tjetër Arian Llukën, më të cilin e kanë mbështjellë viktimën me qese të plastikës dhe e kanë lënë në tavanin e banesës.

Ndërkaq Arian Lluka, që në kohën kur është kryer kjo vepër ka qenë i mitur, akuzohet se i ka ndihmuar Besarata Kastratit-Harxhit, për fshehjen e provave dhe shkatërrimin e revoles që dyshohet se është përdorë në këtë vrasje.Arian Lluka në procesin gjyqësor të 2014-ës nuk e kishte pranuar se kishte kryer vrasjen e Shabit.

Trupi i pajetë i Shabit ishte gjetur disa ditë pas vrasjes.

Në disa seanca të mbajtura atë kohë, Arian Lluka kishte pranuar se kishte pasur një borxh ndaj Fidan Shabit prej 10 mijë eurove.

Arian Lluka është akuzuar edhe për veprën tjetër penale, për shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm me shpërthimin e një granate dore me 20 shkurt 2012 afër ish lokalit të Sali Kastrait (babait të Besarta Krasniqit- Harxhit), duke dëmtuar edhe disa lokale përreth.

Më poshtë mund të lexoni raportimet e KALLXO.com për vrasjen e Fidan Shabit:

Mbrojtja: Besarta Kurrë Nuk Është Takuar me Fidan Shabin (TV)

Vajza e Sali Dukatit Ndërron Fjalët

I dënuari për vrasjen e Fidan Shabit në Pejë qe tre muaj në arrati