Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Video e demanton Shpejtim Bulliqin në lidhje me incidentin me qytetarin në QKMF

Gjatë ditës së djeshme, një qytetar nga Podujeva kishte denoncuar në Polici kryetarin e kësaj Komune, Shpejtim Bulliqin, për sulm fizik.

Këtë pretendim dhe shkrimet në media, Shpejtim Bulliqi i kishte hedhur poshtë, duke i quajtur pretendime të pavërteta dhe shpifje, sipas tij, me qëllim për të dëmtuar reputacionin e tij.

“Gjatë vizitës sime në QKMF, unë kam qenë i shoqëruar nga drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Driton Veliu, drejtori i QKMF-së, Ymer Llugaliu dhe mjekë e infermierë të tjerë, të cilët mund ta dëshmojnë lehtë se aty nuk ka ndodhur asgjë dhe të gjitha pretendimet e këtij zyrtari janë trillime dhe inskenime të ulëta”, kishte shkruar ai në ‘Facebook’.

Ndërsa sot, sipas një videoje të publikuar nga Gazeta Express, Bulliqi shihet teksa debaton me qytetarin, e më pas dhe e shtyen qytetarin dhe i jep një diçka që duket si goditje.

Në lidhje me rastin, Bulliqi është intervistuar nga Policia mëngjesin e sotëm.

KALLXO.com mëson nga burime brenda Policisë se Bulliqi është intervistuar sot nga ora 9:30 ndërsa i njëjti është liruar në procedurë të rregullt.

Rasti ndaj të njëjtit është iniciuar për lëndim të lehtë trupor.

Policia inicion rast hetimi kundër Shpejtim Bulliqit, për lëndim të lehtë trupor