Osman Kelmendi, vëllai i Qerim Kelmendit. Foto: Kallxo.com

VIDEO: Dyshimet e vëllait të Qerim Kelmendit

Dyert e familjes Kelmendi në fshatin Llabjan të Komunës së Pejës janë hapur për ngushëllime.

Kjo pasi që Qerim Kelmendi u gjet i vdekur në një makinë e cila ishte kapluar nga zjarri orët e para të mëngjesit të sotëm.

Qerim Kelmendi është gjetur i vdekur rreth orës 01:27 të mëngjesit në një rrugë në distancë prej 500 metrave larg shtëpisë ku jetonte.

Vëllai i Qerimit, Osman Kelmendi ka thënë për KALLXO.com se vëllai njëherë është ekzekutuar me plumba e më pas është djegur së bashku me makinën e tij, një pasat të tipit Karavan.

“Ne nuk kemi qenë këtu. Unë kam qenë në Prishtinë por krejt çka kemi marrë vesh është se ka ndodhur afër shtëpisë, si duket ata e kanë ekzekutu njëherë e pastaj e kanë djeg me gjithë makinë kufomën”, ka rrëfyer vëllai i viktimës.

Vëllai i Qerimit, Osmani tregon se vëllai i tij nuk ka pasur ndonjë hasmëri me dikë dhe nuk dyshojnë në ndonjë person të caktuar por sipas tij, është vrasje e qëllimshme.

“Na nuk dyshojmë, krejt çka dimë është se është luftëtar i orëve të para, ka qenë së bashku me Zahir Pajazitin, Adrian Krasniqin, Ilir Konushevcin. Pista e vetme është me gjasë Serbia po vazhdon me mbajtë inat ose të hakmerret për luftëtarët e lirisë, dikush më herët e dikush më vonë, këtë herë paska qenë vëllai im”, rrëfen vëllai i Qerim Kelmendi.

Osman Kelmendi tutje ka rrëfyer se vëllai i tij asnjëherë nuk është frikësuar apo ruajtur nga dikush.

“Kërcënime nuk ka pasur është proconocuar gjithmonë hapur edhe përmes rrjetit sociale dhe asnjë herë në asnjë mënyrë nuk ka lënë dyshime se po ruhet ose po frikësohet prej dikujt”, rrëfen vëllai.

Osman Kelmendi tregon tutje edhe se si kishin marrë vesh për vëllain.

“Na kanë thirrë në telefon për të shkuar dhe për ta identifikuar e më pas e kemi verifikuar se ai është”, rrëfehet vëllai i Qerimit.

Policia ka njoftuar se janë duke i zhvilluar hetimet për të zbardhur rastin.

“Rreth orës 01:27, Policia e Kosovës Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, është informuar se në fshatin Zahaq-Pejë, në një rrugë është duke u djegur një veturë. Me të marrë informatën njësitet e Stacionit Policor në Pejë kanë shkuar në vendngjarje, ku vërejtur një veturë e cila ishte përfshirë  tërësisht nga zjarri. Në vendin e ngjarjes kanë arritur njësitet e zjarrfikësve të cilët e kanë shuar në tërësi zjarrin”, njofton Policia.

“Gjatë  kohës derisa zjarrfikësit ishin duke lokalizuar zjarrin në brendësi të veturës është vërejtur një person (viktimë mashkull) trup i karbonizuar. Vendit të ngjarjes i janë përgjigjur njësitet relevante të sektorit rajonal të hetimeve, njësiti K9, si dhe prokurori i shtetit dhe ekipi mjekësor, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës”, thuhet në njoftim.

“Gjatë shikimit të vendit të ngjarjes është konstatuar se vetura e djegur është e tipit VË Passat me targa vendore. Sektori Rajonal i Hetimeve pranë Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, ne bashkëpunim të plotë me prokurorin e shtetit janë duke u marrë të gjitha veprimet hetimore për të sqaruar rrethanat e këtij rasti të cilësuar ‘vrasje’ dhe janë duke u bërë përpjekje maksimale për të identifikuar kryesin ose kryesit e mundshëm”, bën të ditur Policia.

Për vdekjen e Qerim Klemendit kanë reaguar edhe presidenti i vendit Hashim Thaçi, dhe ish kryeministri, Ramush Haradinaj.

Vdekja e Qerim Kelmendit, rrethanat si u zbulua vetura e djegur