VIDEO- Dy pacientë me kancer e mundën coronavirusin

Dy pacientë me kancer të cilët rezultuan pozitiv me COVID-19 janë shëruar plotësisht nga virusi.

Stafi i Klinikës ku trajtohen pacientët me kancer janë befasuar me pasqyrat klinike pas rezultimit me coronavirus.

 

 

Sipas drejtorit të klinikës, Ilir Kurtishi, mjekët janë befasuar me pasqyrën e tyre klinike pasi që janë prekur nga virusi, duke e ditur se janë njëra ndër shtresat më të ndjeshme të pacientëve.

Kurtishi në një intervistë për KALLXO.com ka treguar po ashtu për punën në këtë Klinikë dhe për trajtimin e pacientëve të cilët janë të prekur me kancer dhe që janë infektuar me COVID-19.

Sipas Kurtishit, në këtë Klinikë që nga fillimi i pandemisë janë infektuar dy pacientë me COVID-19, por tashmë janë shëruar plotësisht nga virusi.

“Deri më tani kemi pasur dy pacientë me COVID, të cilët janë infektuar në shtëpi, njëri ka pasur kancer të prostatës dhe njëri me kancer të mushkërive, dhe që të dy e kanë përballuar këtë pa ndonjë problem të madh, por që normalisht vuajnë prej probleme të tyre”, ka thënë Kurtishi.

Ai tutje ka treguar se fatmirësisht në këtë klinikë nuk është infektuar asnjë nga stafi shëndetësor që ka mundësuar dhënien e shërbimeve pa ndonjë pengesë.

“Ne fillimisht kemi punuar me kapacitet të ndryshuara për shkak se e kemi ndarë stafin në tri grupe. Gradualisht kemi shkuar duke e shtuar numrin e shërbimeve. Sigurisht kjo ka qenë më e lehtë deri tash kur kanë filluar sërish të shtohet numri i rasteve. Ne po ofrojmë deri në 120 shërbime në ditë.

Kurtishi ka treguar edhe për kohën kur e kanë kuptuar se dy pacientë të Klinikës ku trajtohet kanceri kanë rezultuar me COVID-19.

“Ne e kemi marrë lajmin me shumë shqetësim për shkak se këta pacientë janë shumë të ndjeshëm. Ne fillimisht i kemi gjurmuar se mos rastësisht e kanë marrë virusin në klinikë dhe me konsultat nga Klinika e Infektivës dhe me vet pacientët. Në ia kemi dalë mbanë edhe me pasqyrën klinike të këtyre e cila befasisht ka qenë shumë e lehtë, ata i kanë marrë trajtimet adekuate dhe ne kemi qenë shumë të gëzuar sepse ata e kanë tejkaluar virusin”, ka treguar ai.

Kurtishi thotë se klinika ka dhënë shërbime për pacientët me kancer dhe krahasuar me Klinikat e Onkologjisë në Rajon, Klinika e Onkologjisë në QKUK e ka ballafaquar shumë mirë pandeminë që nga fillimi i saj.