VIDEO - Drejtori që bëri vlerësimin e dëmit ndaj “Infrakos” nuk i inspektoi vet hekurudhat

 

Në emisionin e sotëm në “Drejtësia në Kosovë” u transmetuan ekskluzivisht dëshmi se si njerëz brenda Ndërmarrjes “Infrakos” u mundësuan strukturave udhëheqëse politike në Prizren që në një rast penal të kishin më të lehtë akuzën që ishte ngritur.

Ani pse në pamjet e transmetuara nga “Drejtësia në Kosovë” vërehet se thuajse gjithë linja e hekurudhës është e dëmtuar dhe vlera e saj mund të jetë milionshe, një gjë të tillë e mohojnë drejtuesit e Infrakos duke thënë se dëmi është vlerësuar vetëm 104 mijë euro.

Drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prizrenit, Islam Thaqi ka treguar se mbi 80 e hekurudhës është e dëmtuar.

“Së pari unë, ne nuk jemi lëshuar në atë se sa është dëmi por ajo që shihet vizualisht është pjesa e trasesë nga nënkalimi që kalon në autostradë deri të stacioni i nisjes mbi 80 përqind mungojnë binarët, mos të flas pastaj që ka dëmtim të nivelit të binarëve, përpos që janë shkulur edhe është bërë disnivel në shumicën e kësaj traseje, por ne nuk jemi lëshuar në këtë pjesë sepse Infrakos është dashtë vet me bo vlerësimin e saj dhe dyshoj se, se kanë bërë kurrë vlerësimin se sa është dëmi që është shkaktuar”, thotë drejtori Thaqi.

Drejtori i Mirëmbajtjes në “Infrakos”, Nexhmi Rama ka thënë se nuk ka shkuar vetë që të bëj inspektime.

“Unë vlerësimin e kam bërë me anë të kësaj tabele, mbi bazën e raportimit të punëtorëve dhe fizikisht i kam parë edhe vet disa dëmtime por nuk kam shku vet me shiku atë pjesën e dëmtuar, nuk i kam inspektu”, thotë ai.

Ai shton se vlerësimin e kishte kërkuar zyra ligjore e “Infrakos” dhe ai ia kishte dërguar.

“Nuk kam bisedu me të, më ka kërku me shkrim i kam dërgu dhe e kemi përfunuar komunikimin. Ajo linjë duhet të ndërrohet komplet, sepse është vjetërsuar koha e ka amortizuar”, tha ai.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Prokuroria Themelore në Prizren kishte ngritur aktakuzë ndaj shtatë personave, tre ish drejtorëve të Urbanizmit në Prizren, një drejtori të inspeksionit në po këtë komunë, një inspektori, Drejtorit të INFRAKOS-it dhe një zyrtari të patundshmërisë.

Të shtatë personave i ishte ngarkuar vepra penale për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dëm të shkaktuar ndaj INFRAKOS-it në vlerë të 104 mijë e 674 eurove.

Linja hekurudhore e cila përshkon qytetin e Prizrenit është e dëmtuar dhe e pa përdorshme.

Ani pse një vlerë e kostos së riparimit është vlerësuar nga ana e Drejtorisë së Mirëmbajtjes së “Infrakos” në vlerë prej 104 mijë eurove, në të nuk hyjnë dëmet që janë shkaktuar për këtë ndërmarrje nga uzurpimet e pronave dhe fuqisë punëtore.

Në emisionin e sotëm u vu në pah se dëmet të cilat shihen vizualisht, nuk janë vetëm mjëra euro por mund të kalojnë miliona.