VIDEO: Drejtori i Policisë sqaron punët e policisë në kohë pandemie

Në emisionin e sotëm në “Drejtësia në Kosovë” Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj shpjegoi në detaje planin e policisë në luftimin e pandemisë COVID-19.

Qalaj tha se plani operativ i Policisë së Kosovës ka vënë në pranga 1 mijë e 658 persona, 278 prej tyre të cilët kanë qenë të ndaluar për 48 orë.

“Mund të them se që nga fillimi i implementimit të Planit Operativ i Policisë së Kosovës e që ka të bëj me masat që Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria e Kosovës ka marrë, Policia e Kosovës ka hapur 880 raste dhe në kuadër të këtyre rasteve 1658 persona janë shoqëruar apo arrestuar. Nga këta persona të ndaluar në mbajtje 48 orë kanë qenë 278 persona  ndërsa janë liruar në procedurë të rregullt 1 mijë e 470 persona”, ka shpjeguar Qalaj.

Ai shtoi se rastet e inicuara ndaj të shoqëruarve apo arrestuarve kanë qenë në bazë të Kodit Penal më saktësisht nenit 250 i cili parasheh dispozitat për parandalim të epidemisë.

“Realisht jemi duke punuar shumë që të mbajmë të japim kontributin që qytetarët të respektojnë masat që janë dhnëë nga qeveria pastaj nga Ministria e Shëndetësisë jemi duke pasur shumë sukses por kemi individë apo grupe të vogla qytetarësh që thyejnë masat dhe policia detyrohet të ndërmarrë masa ligjore”, tha ai.

Qalaj gjithashtu ri-sqaroi se policia nuk ka mandat për të shqiptuar gjoba.

“Policia e Kosovës nuk shqipton gjoba por kryesisht bazohemi në Kodin Penal ndërsa bashkëpunojmë ngushtë me inspektorët sanitar të cilët kanë mandat për shqiptim të gjobave”, shtoi Qalaj.

Policia e Kosovës tash e një kohë është duke vepruar me anë të një Plani Operativ në lidhje me masat e vendosura nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë.

Më 30 mars të këtij viti, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ka shpallur antikushtetuese vendimin për vendosjen e masës së kufizimit të lirisë së lëvizjes, vendim ky i marrë nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Mbi 1 mijë raste të hapura në polici në lidhje me shkeljen e masave të marra nga ana e Qeverisë së Kosovës, do të hudhen dhe shkelësit nuk do të dënohen për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.