Vdekja e 26 vjeçarit policia merr në pyetje zyrtarë të Ministrisë e Komunës

 

Në emisionin e sotëm në “Drejtësia në Kosovë” u trajtua vdekja e 26 vjeçarit nga Komuna e Gjilanit, Agon Musliu, i cili vdiq pasi dyshohet se ra nga një lartësi prej katit të pestë të konviktit numër 7 në Qendrën e Studentëve që po përdoret si karantinë me vendim të Qeverisë së Kosovës për personat e ardhur nga vendet e jashtme.

I riu nga Gjilani që vdiq ende në rrethana të pasqaruara mirë, kishte ardhur në Kosovë nga Gjermania të shtunën e javës së kaluar ndërsa të dielën dyshohet se është hedhur nga dritarja e konviktit ku po qëndronte.

Drejtori i Departamentit të Hetimeve në Policinë e Kosovës, Riza Shillova, ekskluzivisht zbardhi detaje të hetimeve dhe tregoi se kush është intervistuar në lidhje me rastin tragjik.

“Nuk kam detaje për numrin e personave që janë intervistuar. Personat përgjegjës, që kanë qenë përgjegjës për të gjitha procedurat pra prej aeroportit ata që kanë qenë përgjegjës për personat e kthyer deri në karantinim që është një zingjir bukur i gjatë që kanë përgjegjësi të ndryshme duke përfshirë edhe IKSHP-së, personat për mbarëvajtjen të logjistikës në kuadër të konvikteve edhe të Komunës së Gjilanit që janë përfshirë në proces të dërgimit të shkresave dhe komunikimit që kanë pasur me QEP por edhe zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë”, tha ai.

Ai tutje tha se nuk mund të jap detaje për deklaratat e të intervistuarve.

“Sigurisht secili dëshmitar jep atë se çka kanë pa e çka kanë dëgjuar. Sigurisht që deklaratat dallojnë të gjitha, këto janë grumbulluar dhe mbeten të ekzaminohen. Sipas informacioneve që kam marrë kanë përgatitur raportin me deklaratata e marra dhe dokumentacionit që ka qenë i përfshirë, incizimet e kamerave që kanë qenë në Qendrën e Studentëve. Të gjitha mbeten të analizohen sigurisht që merr pak kohë por janë trajtuar të gjitha gjërat që lidhen me rastin”, tha ai.

Shillova nuk përmendi emra të zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë të cilët janë intervistuar.

“Nuk mund të përmend emra sepse janë kompetent për menaxhimin e këtyre rasteve, që përbëjnë zingjirin e koordinimit të aktiviteteve të kthimit të qytetarëve dhe përcaktimin dhe vendosjen e qytetarëve në karantinë. Pra janë një numër i madh i zyrtarëve përfshirë zyrtarë që i trajtojnë raportet dhe të dhënat që i marrin nga instiucionet por edhe personat që vendosin për pocedurën e mëtutjshme të personave që vendosen në karantinë”, shtoi ai.

Drejtori tregoi se janë marrë të gjitha dokumentet të cilat ndërlidhen me rastin e 26 vjeçarit.

“Të gjitha dokumentet që kanë qenë në procedurë janë marrë dhe janë në trajtim. Ka raporte të tjera që janë marrë edhe nga ambasada në Gjermani. Nuk mund të jap detaje të raporteve por sigurisht që shpejt do të dilet edhe me rezultate të analizave. Në bazë të asaj që kam pa, edhe nga aeroporti edhe në MSH nuk është paraqit ndonjë raport që tregon për gjendjen mjekësore apo sëmundje të veçantë të të ndjerit por, mbetet që ky rast të trajtohet. Ka qenë një komunikim me ambasadën e Kosovës në Gjermani, dhe të gjitha komunikimet emailat dhe listat janë marrë edhe nga ata por edhe komunikimi që kanë pasur edhe zyrtarët e tjerë, janë bërë pjesë e lëndës”, tregon tutje drejtori Shillova.

Gjithashtu Shillova tregoi edhe se do të trajtohet edhe sistemi i vendosjes së qytetarëve në karantinë.

“Të gjitha do të sqarohen, sistemi i vendosjes në karantinë paraqet të gjitha stukturat që janë të domosdoshme, duke përfshirë edhe trajtimin në aeroport dhe karantinë e të gjitha këto faza që i kalojnë të gjithë personat”, shtoi Shillova.

Ai tha se nuk është në dijeni personalisht se kush e vizitoi për herë të fundit 26 vjeçarin Agon Musliu.

“Jo nuk  e di sepse personalisht nuk jam marrë me këtë por besoj që prokurori dhe hetuesit e kanë këtë informacion”, shtoi ai.

Drejtori gjithashtu tregoi edhe se ende nuk është intervistuar babai i viktimës pasi që rasti është ende i freskët.

“Me sa kam informacione ende nuk janë intervistuar familjarët e viktimës, i kemi dëgjuar deklaratat e tilla dhe i kemi këto informacione. Janë trajtuar informacionet, sepse disa nga këto informacione thuhet se kanë shkuar në bazë të kanaleve komunale dhe këta zyrtar janë kontaktu por të ardhmen do të ketë hapësirë që të merret në pyetje edhe prindi në këtë rast të viktimës dhe këto informacione do të trajtohen”, shtoi ai.

Ekipi i DNK-së ka tentuar të flas me babain e Agon Musliut, Naimin por i njëjti për shkak se nuk ishte në gjendje të mirë pas ngjarjes tragjike kishte kërkuar që të mos flas më për këtë temë.

Në anën tjetër në një intervistë për RTK-në ai kishte thënë se dokumentet e djalit të tij se nuk ishte mirë me shëndet i kishte parqitur edhe te zyrtarët në Aeroportin e Prishtinës.

“Tentova me një dokument që ky ka pasur djali im, para se me shku në Gjermani që ka pasur problem prej bubrekëve dhe duke i treguar edhe që ka shtres këta të aeroportit as që e kanë marrë parasysh, e kanë marrë e kanë dërgu në ferr, sepse ferr ishte për djalin tim”, ishte deklarata e Naim Musliut.

Për të sqaruar rrethanat e në lidhje me rastin, ekipi i DNK-së kishte udhëtuar drejt Gjilanit dhe Nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli ka thënë se kishin sinjalizuar Ministrinë e Shëndetësisë se 26 vjeçari Agon Musliu vuante nga depresioni dhe se të njëjtit do të duhet të iu bëhej një kontrollë urgjente.

“I kemi bërë të gjitha përgatitjet pas kthimit të tij në Prishtinë ne kemi njoftuar edhe Qendrën Operative dhe i kemi kërkuar që të lejohet prindi i tij të shkoj në aeroport, pas 30 minutave na është aprovuar kërkesa dhe prindi i tij mund të lëvizte deri në aeroport”, tha Ismajli për Drejtësia në Kosovë.

Ai shton tutje se babai i 26 vjeçarit nuk ishte lejuar të vizitonte djalin ndërsa shton se babai kishte treguar se zyrtarët e Qendrës së Studentëve nuk kishin pasur sjellje të mira me të.

“Jemi njoftuar nga familjarët që ai nuk është lejuar ta shoh djalin e tij, gjithashtu jemi njoftuar nga prindi që edhe pas shkuarjes nga aerporti në Qendrën e Studentëve kërkesa ka qenë me pa djalin dhe nuk është leju dhe sjellja nga zyrtarët në karantinë nuk ka qenë të mira në raport me prindin, këto janë informata që na ka dhënë prindi”, shton Ismajli.

Sinjali se djali mund të ketë probleme psikologjike ishte dhënë pak para se të regjistrohej rasti si vdekje e dyshimtë për 26 vjeçarin.

“Ne kemi kontakte të vazhdueshme me Qendrën Operative në Prishtinë, kemi tashmë dy muaj që merremi me këto raste. Unë sa kam informata është kërkuar edhe nga Qendra jonë për shkak të gjendjes së tij shëndetësore pas shkuarjes së tij në konvikt na është thënë që nuk është mirë me shëndet dhe kemi kërkuar nga Qpe përmes emailit zyrtar që një ekip shëndetësor ta vizitojnë 26 vjeçrin, mirëpo sa kemi informata ekipet mjekësore nuk kanë arrit me vizitu djalin”, shtoi tutje.

Nënkryetari i Gjilanit theksoi se nga pëgjegjësia nuk duhet të ik askush.

“Në mënyrën më të sinqertë po e them, ky vend duhet me ardh në nivelin e përgjegjësisë. Unë mendoj që secili prej neve që bartim pushtet kemi përgjegjësi. Secili pej ne që jemi zgjedh e votu në pozita të tilla në supet tona kemi edhe përgjegjësinë”, ka thënë Ismajli.

Në lidhje me rastin ekipi i Drejtësia në Kosovë, gjatë gjithë javës ka tentuar që përmes kërkesave zyrtare dhe telefonatave të marrë një përgjigje edhe nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, Përgjegjësi i Qendrës së Studentëve apo edhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme, por kontakti me ta ka qenë i pamundur.

Por me anë të njoftimeve dhe konferencave zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë kanë kërkuar hetim dhe zbardhje të rastit.