VIDEO - Drejtori i Burgjeve flet për masat për parandalimin e COVID-19

Në emisionin e sotëm në “Drejtësia në Kosovë” u transmetuan pamje ekskluzive brenda Burgjeve të Kosovës në kohën e pandemisë coronavirus.

Ekipi i Drejtësia në Kosovë ka arritur nga afër të shoh nëse burgjet në Kosovë kanë mjetet e duhura për të parandaluar përhapjen e coronavirusit dhe se a janë pajisur këto burgje me pajisjet mjekësore të rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Disa nga të burgosurit janë ankuar në KALLXO.com për mungesë të pajisjeve mjekësore dhe parandaluese për infektimin nga coronavirus ndërsa në anën tjetër ishe raportuar javën e kaluar se në Burgun e Dubravës kishte të burgosur me zhgjebë.

Gjithashtu ditë më parë, KALLXO. com raportoi se në Burgun e Mitrovicës më saktësisht në veri dy gardianë ishin prekur me coronavirus e të burgosurve dhe stafit i ishin bërë testimet.

Drejtori i Burgjeve Nehat Thaqi ka shpjeguar masat e ndërmarra në Burgun e Mitrovicës pas konfirmimit për raste pozitive me coronavirus.

“Pasi që kemi marrë konfirmimin nga IKSHP që dy gardian janë pozitiv nga 31 të testuar, masat e para që janë ndërmarrë janë ioluar në shtëpitë e tyre, hapi tjetër ka qenë për testim të gjithë të burgosurit në Burgun e Mitrovicës edhe pse deri tash të burgosurit nuk kanë shfaqur ndpnjë simptomë po për shkak të korrektësisë kemi bërë kërkesë për testim të të burgosurve në Burgun e Mitrovicës. Gjithashtu është bërë edhe dezinfektimi i burgjeve brenda dhe jashtë. Janë ndërmarrë një mori masash që kemi marrë në mënyrë që të ndalojmë hyrjen e këtij virusi në burgje. Në Burgun e Mitrovicës janë 48 të burgosur, aty ka edhe shqiptar. Burgu edhe pse është me lokacion në pjesën veriore prapë është pjesë e burgjeve të Kosovës”, tha Thaqi.

Ai shtoi se ka filluar punën edhe paneli i cili mundëson lirimin me kusht duke shtuar se nuk ka shumë të burgosur që mund të kërkojnë një gjë të tillë.

“Ligji për ekzekutimin e sanksioneve penale dallon, fatkeqsisht ky ligj ka disa mundësi. Mundësi të lirimit të parakohshëm për kërkesën nga paneli me kusht dhe pezullimin e dënimit me kusht për shkak të gjendjes shëndetësore. Kosova nuk posedon ligj që lejon qeveria të bëj pezullim të dënimeve dhe nuk lejon që drejtori apo ministria të bëj pezullimin e dënimeve. Ka ditë që jemi duke shikuar ligjet se si të i qasemi këtij problemi. Dje është marrë vendim që nga sot të aktivizohet paneli i lirimit me kusht. Ka filluar të funksionoj paneli për lirim me kusht dhe presim nga ta për masat dhe vendimet që do të ndërmerren. Është një pjesë e vogël e të burgosurve që kanë të drejtë të kërkojnë lirimin me kusht”, tha ai.

Ai foli edhe për ankesat nga të burgosurit.

“Pikërisht, ne të gjitha furnizimet ikemi bërë në kuadër të IKSHP-së në bazë të rekomandimeve i kemi furnizuar të burgosurit. Për shkak që të burgosurit të mos kenë panik dhe pengesa kam kërkuar që të burgosurit të kenë maska dhe dorëza”, shtoi ai.

Në Kosovë, që nga data 13 mars e deri më sot janë konfirmuar 132 raste me coronavirus. Nga këta persona 16 janë shëruar ndërsa është shënuar edhe një viktimë.

Një varg masash ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës për të parandaluar përhapjen e coronavirusit në Kosovë. Njëra ndër to është edhe ndalimi i lirë i qarkullimit për vozitës e këmbësorë pas orës 17 përveç rasteve emergjente.