VIDEO - Drejtori i AKK-së shfrytëzon veturën zyrtare për punën tjetër private

Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Sakip Imeri është parë duke hyrë në njërin nga Kolegjet Private në Ferizaj para orës nëntë dhe ka dalë pas orës 10:30 të martën.

Në të njëjtin kolegj, Drejtori i AKK-së është ligjëruesi i lëndëve ekonomike.

KALLXO.com ka pritur deri sa Imeri ka përfunduar punët dhe ka pyetur se pse është aty.

“Sot e kam ditë të lirë dhe kam angazhim me studentët kjo është arsyeja pse jam këtu”, ka thënë ai.

Edhe pse Drejtori tha se është në ditë pushimi nga Autoriteti i Konkurrencës, për të zhvilluar ligjëratën me studentët kishte përdorur veturën zyrtare.

“E shfrytëzoj kur të kthehem, për zyrtarisht e shfrytëzoj. Jo, ju lutem. Unë kur udhëtojë për atje(Prishtinë) unë dikun duhet me vendos(parku). E vendosi ku ka hapësirë me e parku”

Ndërsa vetura zyrtare ishte e parkuar në parkingun privat të kolegjit.

“Parkingu është privat i fakultetit është. Jo unë sot e kam të lirë dhe përderisa shkoj në Prishtinë, shkojë me veturë zyrtare, veturën dikun duhet me e siguru edhe kjo është”, ka thënë Imeri.

Sipas vendimit numër 02/030 të Qeverisë së Kosovës për përdorimin  24 orë të automjeteve zyrtare mund të ketë kryeministri, zëvendëskryeministrat, ministrat, zëvendësministrat, Shefi i Stafit të Kryeministrit dhe Sekretari i Përgjithshëm  i ZKM-së.

Ndërsa,  në pikën 5 thuhet se përdorimi i veturave zyrtare jashtë orarit të rregullt të punës bëhet pas ofrimit të arsyetimit të nevojshëm.