Rukije Mehmeti, drejtoreshë e Klinikës së Pulmologjisë - Foto: KALLXO.com

(VIDEO) Drejtoresha e Pulmologjisë: Klinika është stërngarkuar me pacientë

Klinika e Pulmologjisë është duke trajtuar pacientë të cilët janë të infektuar me coronavirus.

Në këtë klinikë janë duke u trajtuar 20 pacientë me coronavirus, prej të cilëve 14 janë duke marrë oksigjen, ndërsa asnjëri prej tyre nuk ka nevojë për respirator.

Këtë e ka konfirmuar drejtoresha e kësaj klinike, Rukije Mehmeti.

“Aktualisht në Pulmologji jemi duke i trajtuar 20 pacientë me coronavirus, 14 prej tyre janë duke marrë oksigjen ndërsa nuk kemi pacientë që kanë pasur nevojë për respiratorë”, tha ajo në një përgjigje për KALLXO.com.

COVID-19 ka prekur edhe një pjesë të stafit shëndetësor në këtë klinikë.

Mehmeti tha se COVID-19 ka prekur 3 infermierë, por gjendja e tyre është e mirë.

“Prej fillimit të kësaj pandemie, do të thotë kur kemi një rrezikshmëri si tash që është rritur numri i të infektuarve dhe hospitalizuarve në klinikë, i kemi tre infermierë që kanë rezultuar me COVID-19. Gjendja e tyre është shumë mirë i kemi liruar dhe janë në shtëpi. Nuk është çudi sepse dihet janë në kontakt direkt me të sëmurët dhe pritet që stafi të infektohet”, tha Drejtoresha Mehmeti.

Ajo shton se klinika është mbingarkuar.

“Është e vërtet. Edhe Klinika e Pulmologjisë është e stër-ngarkuar, por mendoj se qëndrimet që janë marrë në komitet mendoj se pak kjo do të shkarkohemi sepse tash edhe spitalet regjionale duhet të marrin një pjesë të barrës si dhe mjekësia familjare në mënyrë që ne të merremi vetëm me pacientët që janë në klinikë e jo edhe me rastet e jashtme”, thotë drejtoresha Mehmeti.

Për ngarkesën e Klinkës Infektive ditë më parë ka folur për KALLXO.com infektologu, Valbon Krasniqi.

Ai tha se me rritjen e rasteve të reja me Coronavirus është rritur edhe presioni në punë por gjithashtu është rënduar edhe klinika.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, e ka kundërshtuar raportimin se në Klinikë nuk ka vend për pacientë ashtu siç kishte deklaruar kryeministri Avdullah Hoti në një konferencë për media.

Sipas Zemajt ata që raportojnë një gjë të tillë janë dashakeqës.

Drejtoresha thotë se nuk kanë infermierë në vetizolim.

“Mjekët asnjë nuk është në vetizolim sepse të gjithë janë në punë. Sepse asnjë nga ne sjemi infektuar vetëm këto tri infermierët dhe kanë një gjendje të mirë. Në momentin që shërohen ato do të i kthehen punës”, shton Mehmeti.