VIDEO: Diskutime, kritika e mospajtime mes deputetëve dhe përfaqësuesve të RTK-së

Pas një debati maratonik, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere nuk e ka miratuar raportin e shpenzimeve të Radiotelevizionit të Kosovës për periudhën janar – mars 2021, e as nuk e ka ndarë buxhetin për periudhën pasuese për tremujorin e dytë prill – qershor 2021.

Rishqyrtimi për votimin e raportit të shpenzimeve për periudhën janar – mars 2021, është vendosur të bëhet në mbledhjen e radhës të Komisionit që pritet të mbahet të mërkurën e ardhshme, pasi administrata e Kuvendit do të dërgoj pyetjet shtesë, që kanë deputetët, në drejtim të RTK-së.

Njëjtë, për mbledhjen e radhës së Komisionit, u dakorduan që të diskutohet edhe kërkesa e RTK-së, për alokimin e mjeteve për periudhën prill – qershor 2021.

Kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja ka sugjeruar që raporti për shpenzimet e RTK-së për periudhën janar-mars 2021, të diskutohet edhe një herë javën e ardhshme, pasi t’i marrin informacionet shtesë.

“Unë sugjeroj që ky raport të diskutohet edhe një herë javën e ardhshme pasi ne t’i kemi marr këto informacione: Pse është dallimi në shpenzime dhe të hyra, raportimi për çdo kategori të shpenzimeve të jepet sqarim, duhet një shpjegim i kompensimit për marketing, standardizim i shpenzimeve, janë ngrit çështje nga deputetët të natyrave të ndryshme. Gjithë këta deputet, e kemi një përkushtim të sigurojmë një televizion publik të qëndrueshëm”, tha Muja.

Ai ka njoftuar se RTK-ja e ka parashtruar kërkesën që të bëhet alokimi i mjeteve për tremujorin e dytë.

Për këtë kërkesë Komisioni ka marr 15 minuta pauzë për konsultim.

 

Më pas, që të dy pikat kanë mbetur të votohen të mërkurën e ardhshme kur pritet të mbahet mbledhja e këtij Komisioni.

Drejtori i RTK-së Ngadhnjim Kastrati tha se meqë është data 20 dhe Komisioni nuk po voton alokimin e parave, situata financiare në RTK do rëndohet dhe kjo, tha ai, është hera e parë që do të ketë vonesa të pagave të punëtorëve të RTK-së. Madje mos votimin e kësaj pike ai e sheh si shantazh.

“Unë nuk pe shoh ndryshe përveçse si shantazh”, tha Kastrati.

Kryetari i Komisionit Muja tha se nuk është korrekte të konsiderohet diç e tillë si një shantazh.

“Duhet të rezervoheni me shprehjet shantazh. Për ta bërë edhe ne punën tonë, ju lutem deri javën e ardhshme të na sillni materialet e nevojshme”, tha ai.

Edhe kryetari i Bordit të RTK-së Sali Bashota tha se nuk do të ishte mirë për asnjërën palë si përfaqësues të të dy institucioneve, të shtyhet kërkesa për javën tjetër.

“Unë si propozim po e jap që të hyrat dhe shpenzimet për muajt prill – qershor të miratohen sot nga ju dhe ne deri javën e ardhshme, këto kërkesat e juaja t’i realizojmë”, tha Bashota.

Në mbështetje për të votuar rreth tremujorit të dytë prill – qershor, ishin deputetet opozitar, Bedri Hamza, Avdullah Hoti e Pal Lekaj.

Hamza tha se ligji e ka paraparë që çdo tre mujor, RTK t’i marr mjetet, e që sipas tij për muajin prill RTK nuk i ka marr paratë që i takojnë me ligj.

Edhe deputeti i LDK-së Avdullah Hoti tha se “ne nuk kemi arsyeje me vonu alokimin e buxhetit për tre mujorin e dytë”.

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, anëtarë i këtij Komisioni, Pal Lekaj, tha se asgjë nuk përfitohet nga pritja njëjavëshe, porse me këtë vetëm sanksionohen të punësuarit në RTK, dhe ka kërkuar që fillimisht të ndahen mjetet e më pas javën e ardhshme të diskutohet për këto çështje.

“Është e udhës që sot ta aprovojmë dhe t’i ftojmë sërish për sqarime”, tha ai.

Gjatë raportimit në këtë komision Bashota tha se në bazë të procedurave e rregulloreve të brendshme, kanë arrit të realizojnë me sukses shpenzimet në këtë periudhë janar-mars 2021.

“Kemi synuar të kemi transparencë të plotë në veprimtarinë e institucionit në të gjitha shpenzimet e pasqyruara para jush”, tha Bashota

Armend Muja nga LVV si kryetar i këtij Komisioni, ka insistuar duke kërkuar sqarime për shpenzimet e Radio Televizionit të Kosovës.

“Keni raportu afërsisht 3 milionë euro të hyra janar-mars dhe i keni raportu 3.3 milionë euro shpenzime. 322 mijë euro jeni minus. Keni më shumë shpenzime sesa të hyra, pse ky dallim”, tha Muja.

Drejtori i RTK-së Ngadhnjim Kastrati tha se si menaxhmet e si Bord, janë munduar t‘i përmbahen buxhetit të votuar në Kuvendin e Kosovës dhe ta shpenzojnë sipas planifikimit.

Kastrati tha se këtë tremujor kanë pas më shumë shpenzime dhe deri në fund të vitit do të barazojnë shpenzimet me planifikimin financiar.

“Në fund të vitit, duhet të vijmë baras me atë çka kemi planifikuar”, tha ai.

Gjatë mbledhjes, anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Korenica ka përmendur punësimin e familjarëve nga menaxhmenti dhe anëtarët e Bordit në Radio Televizionin e Kosovoës, për të cilat ka raportuar KALLXO.com.

Ai ka kërkuar sqarim për punësimin e Leotrim Thaçit, djali i Gani Thaçit, Festina Cakolli gruaja e Leotrimit dhe vëllau i saj Arbri i punësuar si kamerman. Korenica e ka përmend edhe punësimin e dhëndrit të Sali Bashotës. Por, ai ka kërkuar edhe shkarkimin e Bordit për të ndalu degradimin dhe kthyer dinjitetin profesional mediumit publik.

“RTK është sinonim i dyshimeve të vazhdueshme për keqpërdorime të shumta. Si i vetmi medium publik në Kosovë i themeluar nga Kuvendi i Kosovës, punëtorët e RTK mbesin me sy nga legjislatura e re, nëse do t’u bëjmë zgjidhje apo kriza do të thellohet edhe më tej. Duhet të formohet komision hetimor të analizoj gjendjen e RTK-së…  Çka duhet të bëjë Kuvendi, është kthimi i ligjshmërisë në këtë institucion duke shkarkuar Bordin aktual dhe zgjedhur një Bord profesional që pengon degradimin e RTK-së”, tha ai.

Këtyre kërkesave u është kundërpërgjigjur, drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati. Ai i ka arsyetuar këto punësime.

Kastrati i cili nuk i ka pritur mirë deklaratat e Korenicës ka thënë se është e drejtë e tij se kënd e punëson duke shtuar se punësimi i Leotrim Thaçit, nipit të ish presidentit Hashim Thaçi si menaxher i njësisë për të drejtat autoriale, iu ka kursyer 55 mijë euro.

“Nuk është mirë me hy me emra. Leotrim Thaçin veç po doni me sulmu. I njëjti është punësu tre muaj ditë, është punësu si ekspert i fushës, i cili e ka bërë një ekspertizë për të drejtat e autorit dhe i kemi kursy 55 mijë euro… I ka marrë tri rroga, nuk është më në punë. Festina Cakolli është e punësume në 2016 ose 2017, e nuk është punësu në vitin 2021…  Drejtor i përgjithshëm jam dhe kam të drejt me shpall konkurs dhe me marr njerëz në punë. Kam të drejtë, dhe unë vendosi për atë punë. Nuk mundem me ardh me të kallxu ty unë kon me e punësu. Është punë e menaxhmentit kon me e punësu”, ka thënë Kastrati.

Ai akuzoi deputetët se po bëjnë spektakël dhe i ka ftuar që të bëjnë komision hetimor.

Sali Bashota kryetar i Bordit të RTK-së ka mohuar se dhëndri i tij ka punuar në RTK gjatë kohës që ai është kryesues i Bordit.

“Lidhur me tekstin që e lexove me punësimin e dhëndrit tim në RTK, shkoni shikoni nëse punon në RTK, jap përgjegjësi publike. Dhëndri nuk punon në RTK. Nuk punon në RTK dhëndri, edhe prej që kam ardh kryetar Bordi, nuk ka punu, ka punu 3-4 muaj. Ka punu, po nuk punon, dhe është ndërpre kontrata, si jam bërë kryetar Bordi, kam kërkuar që të mos punojë aty. Asnjë familjar i imi nuk punon tani në RTK”, ka thënë Bashota.

KALLXO.com gjatë këtij muaji ka publikuar hulumtimet për punësimin e nipit të Hashim Thaçit si menaxher i linjës për të drejtat autoriale me kontrate mbi vepër dhe dhëndrin e Sali Bashotës si  mirëmbajtës – shtëpiak në RTK, me kontratë mbi vepër.