Oleksiy Goncharenko/ Foto: Oleksiy Goncharenko Facebook

VIDEO - Deputeti ukrainas përfundon fjalimin në gjuhën shqipe në Këshillin e Evropës

Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko, gjatë fjalimit të tij në Asmblenë e Këshillit të Evropës, ka bërë thirrje që Kosova të njihet nga të gjitha shtetet e Këshillit të Evropës.

“Kosova duhet të njihet nga të gjitha vendet e Këshillit të Evropës. Për momentin dymbëdhjetë vende nuk e kanë njohur atë. Ju drejtohem, ju lutem ta njihni këtë vend si shtet të pavarur siç ata luftuan për të ardhmen e tyre, për pavarësinë e tyre. Ata duhet të jenë këtu së bashku me ne. Ata duhet të jenë pjesë e Këshillit të Evropës. Vetëm kështu mund të jemi më të fortë dhe ky vend do të lulëzojë gjithashtu” – ka thënë ai.

Goncharenko e ka përfunduar fjalimin e tij në këtë asamble në gjuhën shqipe duke thënë “Kosova është Evropë”. Ai bëri të ditur se e ka sponsoruar projektligjin në parlamentin ukrainas për të njohur pavarësinë e Kosovës.

“Unë e kam sponsoruar projektligjin në parlamentin ukrainas për të mbështetur dhe njohur pavarësinë e Kosovës dhe ne të gjithë duhet ta bëjmë këtë, dhe së bashku të ecim përpara…. Pra, le të mbështesim botën e lirë, le të jemi më të fortë, më të mëdhenj, le ta mbështesim Ballkanin Perëndimor dhe Kosova është Evropë” – tha Goncharenko.

Ndër të tjera, ai tha se autokracitë dhe tiranitë po përpiqen të ndikojnë në Ballkanin Perëndimor dhe se po përpiqen ta përdorin këtë rajon për të pasur më shumë gjakderdhje dhe më shumë kaos në botë.

“Kush e organizoi grushtshtetin në Mal të Zi? Rusia. Kush po përpiqet të destabilizojë Bosnjën dhe Hercegovinën? Rusia. Pra, sot duhet të themi se duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i bërë këto vende të prosperuara, për t’i bërë ato pjesë të përbashkëta tona, ato tashmë janë pjesë e vlerave të përbashkëta, por na duhen edhe hapat e ardhshëm për t’i bërë më të forta, për të mbështetur. demokracinë, të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit në të gjitha këto vende” – përmendi ai.

Ai tutje shtoi se për ta shndërruar tërë botën në një vend të lirë duhet të fillohet nga Evropa ku asnjë shtet nuk duhet të mbetet i përjashtuar nga familja Evropiane

“Nuk duhet të ketë asnjë vrimë në hartën e Evropës ku një vend tjetër nuk është pjesë e projektit të madh evropian, projekt i madh ku ne vlerësojmë të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe demokracinë të cilat janë të tej mbushura. Prandaj, kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme të mbështeten këto vende sot” – u shpreh Oleksiy  Goncharenko.