(VIDEO) Dënohet me 25 vjet burg Nuhi Mavrovqani që vrau gruan me shufër të hekurit

Nuhi Mavrovqani, i akuzuar se e ka vrarë gruan e tij në Kamenicë, është gjetur fajtor dhe është dënuar nga Gjykata në Gjilan me 25 vjet burgim. Vendimi, të akuzuarit i është kumtuar në sallën e gjykatës nga Sabedin Mushica kryetar i trupit gjykues.

Ky është dënimi i dytë i shqiptuar ndaj të akuzuarit Mavrovqani, kësaj radhe më i lehtë, meqë më 04.12.2020, ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e gruas së tij, e cilësuar nga gjykata si vrasje të rëndë.

Në seancën e fundit, prokurori Isuf Sadiku, duke dhënë fjalën përfundimtare, pati kërkuar nga Gjykata që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet, pasi siç thoshte prokurori Sadiku, ishte vërtetuar që i akuzuari vrasjen e kishte bërë me qëllim.

Kurse Arsim Vranovci, avokat i të akuzuarit, në fjalën përfundimtare, kërkonte nga Gjykata që të ketë parasysh si rrethanë lehtësuese faktin se i akuzuari e ka pranuar fajësinë, ani pse Gjykata nuk e ka aprovuar atë kërkesë.

Kurse i akuzuari, duke shprehur keqardhje për rastin që kishte ndodhur, kërkonte dënim më të ulët pasi sipas tij vrasjen nuk e kishte kryer me dashje.

I akuzuari Mavrovqani në të gjitha seancat gjyqësore e kishte pranuar fajësinë për vrasjen e gruas së tij, por gjithnjë duke pretenduar se atë e kishte kryer pa qëllim.

Sipas dosjes së Prokurorisë, i akuzuari i kishte shkaktuar bashkëshortes plagë të hapura vdekjeprurëse dhe thyerje të kockave në anën e majtë të kokës.

Sipas Prokurorisë, Nuhi Mavrovqani veprën penale e kishte kryer duke e goditur bashkëshorten me shufër metalike fillimisht në anën e majtë të kokës, duke e rrëzuar në tokë, ndërsa kishte vazhduar ta godiste në kokë e në pjesë të tjera të trupit, po ashtu me shufër metalike.

KALLXO.com ka raportuar që nga fillimi i gjykimit të Nuhi Mavrovqanit.

Nuhi Mavrovqani pranon në gjykatë se vrau gruan me shufër metalike, por thotë se e bëri pa qëllim