Vershime ne Prishtinë - Foto: KALLXO.com

VIDEO: Dëmet e ‘lumit’ në kryeqytetin pa lumë

Shiu i së dielës ka shkaktuar dëme të mëdha materiale nëpër kryeqytet dhe jo vetëm.

Rrugë, biznese e ndërtesa janë përballur me një sasi të madhe të ujit sa që ka qenë e vështirë të vetëmenaxhohet e gjithë situata.

Agnesa Matoshi, pronare e një shtëpize në “Akull n`Verë’, tha për KALLXO.com se vërshimet e ditës së djeshme i kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale, prej të cilave edhe të pariparueshme.

“Kemi dëme në pajisje si në friza, frigoriferë, pajisje të punës me të cilat e kemi ndreq shtëpizën. Gjithashtu kemi dëme edhe në gjëra ushqimore, furnizimet që i kemi pasur brenda shtëpizës të cilat nuk kemi arritur të i largojmë sepse se kemi pritur që në atë gjendje ka me ardhë shtëpiza dhe krejt sheshi. S’kemi arrit me largu asnjë send që ka qenë brenda. Dëmet munden me shku në një vlerë deri në 1 mijë euro me një llograritje që e kemi bërë përafërsisht se munden me qenë edhe më të mëdha”, tha ajo.

Mungesa e ekipeve për t’u dalë në ndihmë të dëmtuarve i ka detyruar ata që të menaxhojnë vet situatën.

https://fb.watch/6RHvFEEbMm/

Agnesa Matoshi-pronare e një shtëpize të ‘Akull n’Verë’ thotë se: “Dje jemi munduar me forca tona me largu ujin prej platosë që është mbledh se është ardhë krejt uji prej sheshit kryesor. Janë ardhë edhe do persona që vetë kanë dashtë me na ndihmu por prej ekipeve nuk ka ardhur askush. I kemi thirr por nuk kanë pas mjaftueshëm ekipe në terren edhe kemi mbet vet”, tregoi Matoshi.

Ndërkaq në rrugën ‘Muahrrem Fejza’ në të cilën janë duke u kryer punime, shiu ka shkaktuar dëme të mëdha në biznese dhe ujë e baltë nëpër rrugën e paasfaltuar.

“Sa herë të bie shi edhe janë shirat ma intensive dëmet normal janë më të mëdha sepse nuk përballohen dot nga kanalizimet dhe ujësjellësit. Edhe vërshimet janë me të mëdha, gjë që ka ndodhur edhe në të kaluarën me pasur vërshime edhe brenda edhe dëme materiale. Barnatorja kësaj radhe nuk ka pasur dëme se i kemi paraprirë me mjete mbrojtëse”, tha Edona Rama, farmaciste.

“Kemi bërë bllokada te hyrja me mjete mbrojtëse që mos ta lejojmë ujin të hyjë brenda”.

Ndërsa qytetarët më të moshuar po e kanë problem edhe lëvizjen si pasojë e rrugës së keqe.

“Kjo pengon në liri të lëvizjes sikurse pandemia që na pengon me na mbajt brenda. Nuk ke ku del çdo 10 metra ki puse”, thotë Ali Krasniqi, banor në ‘Rrugën C’.

“Po qysh se kam problem me kalu që katër herë jam rrëzu deri qitash. Katër herë. 2 vende më ka mbajt një njeri. Duket që nuk ka ujë a aty është krejt lloq gjysmë metre”, tregon ai.

“Prej gjithë atyre premtimeve, deri sa ta marrin votën e të vendosen krejt të lutin. E marrin vendin dalin në pozicion me shku as derën nuk ta çel. Shiu ka përmbytur edhe parkingjet dhe hyrjet e banesave dhe përveç kësaj po zvogëlon punën e bizneseve të vogla”, thotë ai.

“Sa herë ka vërshime këtë podrum, këtu mbushet krejt me ujë. Nuk është hera e parë. Nuk ka marrë masa as Komuna asnjëherë. Nuk ka ardhë me pa gjendjen. Dje i thirra zjarrfikësit me largu ujin nuk u përgjigjen. Thanë nuk kanë punëtorë”, thotë qytetarja Abide Imeraj.

“Ne jemi të rrezikuar shumë me krejt banorët. Jemi të shqetësuar. Fati që janë shumica në pushime edhe nuk kanë qëlluar gjysma këtu”, tregon ajo.

“Dëme nuk na ka shkaktuar, por në punë po. Rruga e prishur rreth 60 për qind ma dobët është puna”, thotë Ibrahim Fazliu, banor në rrugën ‘Muharrem Fejza’.