VIDEO - Çmimi i bukës rritet deri në 50 cent
Në disa furra të kryeqytetit dhe jo vetëm, çmimi i bukës ka shkuar deri në 50 cent.
Rritja e çmimit të bukës, po shihet si një rëndesë e radhës për kuletën e qytetarit.
KALLXO.com ka biseduar me disa qytetarë lidhur me këtë shtrenjtim.
Disa nga ta, çmimin prej 50 cent për një bukë e kanë parë të paarsyeshëm, e disa të tjerë si të arsyeshëm për shkak të çmimit të miellit.
Lidhur me rritjen e çmimit të miellit në emisionin “Kallxo Përnime” të datës 10 shkurt 2022 ka folur Adriatik Stavileci nga Dogana e Kosovës.
Ai ka konfirmuar se ka rritje të çmimit.
“Kosova ka më shumë import të miellit sesa të grurit. Të miellit kemi një rritje prej 25% krahasuar me vitet 2020-2021, pra nëse mielli ka qenë rreth 33 centë, është rritë në 43 centë në import pa parapagesë të taksave. Nëse flasim për grurë, nëse toni ka qenë në një periudhë të caktuar 170 euro tani ka arritur diku në 300 euro për ton”, ishte shprehur Stavileci.
KALLXO.com ka kërkuar të dhëna nga Dogana e Kosovës lidhur me importimin e miellit dhe grurit gjatë muajit shkurt.
Në një përgjigje për KALLXO.com, Dogana ka treguar se gjatë muajit shkurt në Kosovë janë importuar 8, 442 ton grurë.
Ndërsa sa i përket miellit, Kosova gjatë muajit shkurt ka importuar 1,945 ton miell prej dy llojeve të grurit (miell prej grurit durum dhe prej grurit të zakonshëm).
Vendet prej të cilave ka importuar miell Kosova gjatë vitit 2022 janë Kroacia, Austria, Hungaria, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina.
Bazuar në të dhënat nga Dogana e Kosovës, gjatë dy muajve të parë të vitit 2022 Kosova më së shumti grurë ka importuar nga Serbia, 8,703 ton.