
Coronavirus: Kujdes mund të dënoheni deri në 12 vite burg nëse nuk i respektoni rregullat
Në emisionin e sotëm në “Drejtësia në Kosovë”, prokurorë të Rajonit të Prishtinës, Prizrenit e të Pejës kanë shpjeguar në detaje për masat e ndërmarra ndaj qytetarëve të cilët kanë thyer rregullat pas udhrave të dhëna për mbylljen e lokaleve, tregjeve, restauraneve, marrjes pjesë në ahengje e shumë masa të tjera.
Në Kosovë, është shpallur gjendje e jashtëzakonshme emergjente për shëndetin publik. Ky vendim i marrë nga Qeveria e Kosovës erdhi pas propozimit të Ministrisë së Shëndetësisë pas rasteve të para të konfirmuara me coronavirus.
Fiks një javë më parë, Qeveria e Kosovës në një mbledhje të jashtëzakoshme për parandalimin e coronavirusit, ka ndërmarrë një sër vendimesh të cilat kërkohen të zbatohen në përpikmëri.
Prokurori i Prokurorisë së Shtetit, Besim Kelmendi ka treguar se janë ndërmarrë të gjitha masat në përputhje me vendimet dhe rrethanat e krijuara pas pandemisë nga e cila 22 persona janë zyrtarisht të konfirmuar si të infektuar me coronavirus.
“Ne si prokurori kemi ndërmarrë të gjitha masat në përputhje të të gjitha rrethanave të krijuara. Në këtë kohë janë lëshuar disa urdhra dhe vendime dhe secili qytetar ka për detyrë që të i përmbahet gjithësecilit urdhër në mënyrë që sa më shumë të parandalohet përhapja e virusit corona”, tha Kelmendi.
Kelmendi bëri të ditura edhe dënimet që parashihen nëse qytetarët thyejnë vendimet dhe rregullat e vëna për parandalim të sëmundjeve ngjitëse.
“Është një vepër penale e veçantë që parasheh përhapjen e sëmundjeve ngjitëse dhe dënimet shkojnë nga 3 vjet deri në 12 vite varet nga vepra penale. Ftoj të gjithë qytetarët që të respektojnë të gjitha vendimet dhe urdhërat e organeve kompetente sidomos në këtë situatë”, shtoi ai.
Tutje Kelmendi shpjegoi edhe procedurat penale të cilat hapen ndaj personave që nuk respektojnë vendimet e qeverisë.
“Të gjithë personat që e dinë se ka një vendim dhe nuk e respektojnë atë vendim bjen ndesh dispozitave ligjore. Njerëzit që dinë se edhe dikush tjetër e ka ditur se ka një vendim dhe ka shkelur vendimin, ju e dini se ekziston edhe vepra penale për mos lajmërim të veprës penale dhe mund të përgjigjen penalisht. Edhe nejrëzit që dijnë veprimet e personave të tjerë që janë duke vepruar kundërligjshëm, është vepër penale dhe ka përgjegjësi për këto”, shtoi prokurori Kelmendi.
Madje prokurori Kelmendi tregoi edhe për masat dënuese ndaj lajmeve të rreme.
“Çdo lajm i rremë mund të ketë pasoja të ndryshme dhe mund të krijohet një situatë paniku që mund të përkeqësoj gjendjen jo të ndihmoj në gjendje. Për çdo rast kur ka bazë ligjore për ndjekje penale prokurori i shtetit do të jetë i gatshëm të hapë procedurat penale”, tha ai.
Në fund prokurori Kelmendi tregoi se keqpërdorimet nga ana e qytetarëve në situatën e krijuar në Kosovë do të ndëshkohen.
“Çdo keqpërorim i situatës në të cilën gjendet Kosova dhe qëllimi i përfitimeve të kundërligjshme nënkupton edhe fillimin e procedurave penale anaj bëj ftesë që të gjithë njerëzit që merren me tregti, nëse nuk janë të autorizuar ata po kryejnë vepër penale nëse janë të autorizuar ata duhet të i binden udhëzimet e qeverisë”, tha ai.