(VIDEO) Banorët e Zymit kërkojnë zgjidhje për rrugët e pashtruara

 

Banorët e fshatit Zym të Prizrenit janë ankuar për rrugë të pashtruara, të cilat po ua vështirësojnë qarkullimin.

Sipas tyre, Komuna e Prizrenit i ka lënë pas dore këta banorë duke mos shtruar rrugët ndonëse thonë se kanë bërë disa herë kërkesa e ankesa.

Komuna e Prizrenit në një përgjigje për KALLXO.com thotë se këtë vit do të fillojë rregullimi i këtyre rrugëve, pasi kanë bërë ndarje buxhetore.

“Këtë vit është i planifikuar ‘Ndërtimi i infrastrukturës në fshatin Zym, kanalizim dhe rrugë’”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prizrenit.

Banorët janë ankuar edhe për mungesë të kanalizimit në institucionet kryesore në fshat, shkollë e Ambulanca e Mjekësisë Familjare.

Komuna ka thënë se s’janë përgjegjës për mungesën e kanalizimit në këto institucione ndërsa kanë shtuar se rrjeti kryesor i kanalizimit në këtë fshat është realizuar.

“Në vitin 2018 në atë fshat [Zym] është realizuar një projekt i kanalizimit në vlerë prej 262,500 eurove”, thuhet më tej në përgjigjen e komunës.