VIDEO: Banorët e Bardhit të Malishevës në hall nga djegia e gomave në furra të gëlqeres
Banorë të fshatit Bardh (ish-Lladroviq) të Malishevës po ankohen për ndotjen e ajrit dhe të ambientit që, sipas tyre, po ndodh nga djegia e gomave dhe qymyrit në një furrë qereçi nga një bashkëfshatar i tyre.
Ata thonë se ka disa vite që përballen me këtë problem dhe se institucionet nuk po u gjejnë zgjidhje.
Advan Krasniqi thotë se për shkak të hirit dhe blozës së mbetur nga djegia e gomave dhe qymyrit për çdo vit i ngordhin dele.
Lëndina ku bashkëfshatari i tyre pjek qereç ka përplot tela të gomave të djegura e hi të qymyrit dhe lëndëve të tjera djegëse.
“Ky problem është më së paku qe 10 vite. Ne me të jemi në hall. Prej vitit 2002 i mbaja 100 e më shumë dele. Tash gjendja po shihet edhe vetë. Ne nuk dimë kah të shkojmë. Dhentë po më helmohen, kingjat po më ngordhin prej qymyrit”, shprehet ai.
Krasniqi thotë se me bashkëfshatarët e tij janë ankuar disa herë, por Komuna nuk ka ndërmarrë asgjë për ta penguar bashkëfshatarin e tij. Ai beson se kjo ndodhë vetëm për shkak të 10 votave që i ka familja e Florim Krasniqit.
“Vetëm për 10 vota që i kanë familja e tyre ky vend është kështu. Këtu vetëm Komuna i ka fajet, nuk i ka fajet as katundi as kërkush tjetër. Katundi ka bërë ankesa, Komuna nuk merr përgjegjësi”, potencoi Krasniqi.
Sipas Advan Krasniqit, djegia e gomave fillon në mesnatë e zgjat deri në orët e hershme të mëngjesit.
“Orari i gomës është prej orës 12 (në mesnatë) e deri në katër të mëngjesit ky nuk e ndal tuj djegë goma hiç”, tregon ai.
Tutje, Advani thotë se për të nuk do të paraqiste problem nëse Florim Krasniqi në furrat e qereçit do të përdorte dru, sikur vepron një bashkëfshatar tjetër.
“Mu vetëm me goma mos të më bën dëm, për me dru le të djegë shlirë. Me dru nuk me bën dëm”, thotë ai.
Për këtë çështje ai thotë se ka pasur fjalosje me Florimin dhe se Policia e ka lënë atë fajtor.
“Kam pasë fjalosje me të. Policia më kanë lënë fajtor, se demek e kam rreh unë atë pa e rreh hiç. Ka lind konflikti, i kam mbajtë 48 orë burg dhe i kam katër muaj me kusht”, tregon ai.
Të njëjtin shqetësim e ka edhe bashkëfshatari tjetër, Fazli Krasniqi. Edhe ai thotë se sikur për furra të përdoreshin dru nuk do të kishte aspak problem.
“As dimër, as verë nuk ndalet, vetëm me qenë ndonjë borë e madhe. Ai djeg çdo javë nga dy furra. Edhe, me konë që i djegë me dru ne nuk jemi kundër ama me goma na helmoi. E kanë nalë parvjet, kanë qenë inspektorët, një muaj ka pushu, masandej kush i dha leje, çka u bo, ia nisi me punu”, thotë Fazli Krasniqi.
Drejtori i Inspektoratit në Komunën e Malishevës, Dibran Kastrati, thotë se për këto raste kanë shqiptuar gjoba, kanë iniciuar lëndën në Gjykatë, por problemi është se nuk kanë kontraktuar ndonjë operator që do t’I rrënonte furrat e gëlqeres.
“Po, Komuna e Malishevës, përkatësisht Drejtoria e Inspektoratit, drejtorët për mbrojtjen e mjedisit, kanë vepruar dhe i kanë ndaluar. Ne kemi si drejtori edhe gjoba mandatore të shqiptuara për ata të cilët e kanë shkelur ligjin, kemi edhe lëndë të iniciuara në gjykatë por ende nuk kemi ardhur deri te finalizimi i kontratës të një operatori për rrënimin e tyre. Deri sa të kontraktojmë një operator për rrënimin e tyre gjendja është kjo që është tash”, u shpreh Kastrati.
Sa i përket ankesës së qytetarit për ngordhjen e bagëtive nga ndotja prej furrës, drejtori Kastrati tha se nuk kanë pranuar ndonjë analizë që do ta konstatonte këtë.
“Nuk mundet ai me supozu përderi sa ne nuk kemi një analizë të ngordhjes së tyre që ka ndodhë prej gomave ose furrës së gëlqeres. Ne nuk mund të japim asnjë konstatim në këtë rast”, shtoi ai.
Drejtori Kastrati thotë se për ta ndalur qytetarin që të mos pjekë qereç Komuna i ka ofruar punë.
“Sigurisht kemi biseduar, edhe kryetari i Komunës (Ragip Begaj) ka bisedu, ka ofru edhe punë për të, por ata ende nuk janë të bindur që është në dëm të qytetarëve dhe shëndetit të tyre”, u shpreh drejtori.
Por, pretendimet e bashkëvendasve po i mohon Florim Krasniqi.
Ai thotë se ka më shumë se një vit që nuk ka djegur goma dhe se për furrat e gëlqeres ka marrë miratimin e bashkëfshatarëve me nënshkrimet e tyre.
“Qe një vit e kusur goma më nuk kem djeg. Për me dru jem tu djeg, me dru tash e një vit janë kanë edhe Policia edhe Komuna edhe m’kanë thanë për me dru na nuk të themi kurrgjë. Ja hiç, as natën e as ditën nuk djegim qe një vit. I kam 50 nënshkrime të katundit që kanë thënë që me dru djeg sa të duash”, është përgjigjur ai.
Megjithatë, më pas ai e pranon se goma mund të përdorë sa për të nisur zjarrin.
“Në fillim ndoshta ndonjë gomë të vogël të kerrit sa për me nis këta rrema, nashta nuk po them që nuk e shti, por edhe atë mundem me ndal, ajo nuk është kurrgjë”, ka thënë ai për KALLXO.com në një bisedë telefonike.